Tetë mijë euro shpërblim për Donjeta Sadikun
Boksierja Donjeta Sadiku, siguroi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të boksit që u zhvillua para dy javësh duke rikthyer kështu një medalje evropiane pas 35 vjetësh në Kosovë.
Sadiku për këtë sukses u prit sot nga Ministri i Sportit Hajrulla Çeku, i cili ka thënë sukseset e saj janë shumë frymëzuese.
Çeku tha se gjithmonë janë shumë frymëzuese dhe japin motiv shtesë takimet me sportistet që me angazhimin e tyre po na bëjnë krenarë të gjithëve.
Ai më pas bëri të ditur se me këtë rast, Sadikut i është ndarë shpërblimi prej 8 mijë eurove, ndërsa 4 mijë të tjera i janë ndarë trajneres së saj Marjola Sallauka.
“I urova për medaljen e re që i sollën shtetit tonë, të bronztën në Kampionatin Europian, ndërsa i ndamë shpërblimin në vlerë prej tetë mijë euro për Donjetën dhe katër mijë euro për trajneren, Marjola Sallauka, bazuar në rregulloren për shpërblime të sportistëve, të cilët arrijnë rezultate kulminante në gara ndërkombëtare”, bëri të ditur ministri i Sportit./21Media