Aksioni i Policisë në veri: Sekuestrohet armatim dhe para

Në Leshak të Komunës së Leposaviqit, me dyshimin për narkotikë, Njësia e Anti-drogës sot ka bastisur një lokacion me ç’rast ka sekuestruar 4 granata dore, rreth 12 mijë euro, 1 armë automatike të llojit AK47 me 200 fishekë dhe lloje të ndryshme të municionit, radiolidhje e paisje tjera ndihmëse për trazira.
Këtë e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një njoftimi në Facebook.
Ai tha se këto dhe pajisje të tjera dyshohet të jenë pjesë e aktiviteteve të ndryshme ilegale dhe kriminale. Sveçla tha tutje se deri më tash është arrestuar 1 person i nacionalitetit serb në ndërkohë aksioni është duke vazhduar.
“Mbesim të përkushtuar maksimalisht që në koordinim me të gjitha institucionet e sigurisë të veprojmë në zbatim të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Pa asnjë dallim do të veprojmë mbi çdo individ apo grup të caktuar që synon të cënojë rendin, ligjin dhe sigurinë e qytetarëve dhe vendit tonë”, shkroi ministri./21Media

Back to top button