​Veliu takoi menaxherët e burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike

 

Përgatitjet për fillimin e zbatimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe realizimi i procedurave teknike përmes Sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore, ishte temë diskutimi në takimin e sotëm ndërmjet ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut dhe menaxherëve të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike.

Nga 29 aktet nënligjore që kërkohet të përgatiten për zbatim të Ligjit për Zyrtarët Publikë, MPB-ja deri më tani ka përgatitur tri akte nënligjore që janë nënshkruara nga ministri i MPB-së dhe shtatë të tjera të miratuara nga Qeveria.

Ligji për Zyrtarët Publikë, përveç fushëveprimit, mënyrës së zhvillimit të procedurave konkurruese dhe përzgjedhëse, obligon që të gjitha procedurat e menaxhimit të zhvillohen përmes sistemit elektronik. MPB-ja për këtë qëllim ka përshtatur sistemin, sipas kërkesave të reja ligjore.

Krahas këtyre zhvillimeve si ligjore dhe teknike, ministri Veliu i njoftoi të pranishmit se procedurat e brendshme, si lëvizje paralele dhe ngritje në detyrë mund të fillojnë të realizohen, ashtu siç e parasheh ligji.

“Duke ditur se proceset në menaxhimin e burimeve njerëzore, sidomos ato të pranimit në shërbimin civil ndryshojnë dukshëm nga ato që ishin deri më tani, MPB-ja, posaçërisht departamenti përkatës është duke punuar që deri në përmbylljen e këtyre procedurave të brendshme rekrutuese të përgatitet edhe për zhvillimin e procedurave të jashtme”, u bë e ditur në komunikatë.

Back to top button