​Verërat e Rahovecit së shpejti në ShBA

Kompania këtë vit po i prezanton nëntë lloje të verës që i prodhon

Në panairin e rrushit, verës dhe rakisë në Hardh Fest, ka marrë pjesë edhe sivjet kompania “Kosova Wine”, e cila shet disa lloje të verërave në Evropë dhe së shpejti edhe në shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pronari i kësaj kompanie, Fatmir Shehu, ka treguar se këtë vit po i prezantojnë nëntë lloje të verës të cilat i prodhojnë.

Shehu ka thënë se edhe këtë vit presin pjesëmarrje të madhe të mysafirëve nga rajoni dhe vendet perëndimore.

“Në këtë panair të HardhFest-it jemi t’u i prezentu prodhimet tona të verës, përndryshe prodhojmë nëntë lloje të verës, edhe si vitin e kaluar, po ashtu edhe këtë vit do të kemi mysafirë, jemi në pritje të mysafirëve nga gjithë rajoni dhe vendet perëndimore. Sa i përket këtij panairi, është një ndër panairet më të mëdha në Kosovë që mbahet”, ka thënë Shehu.

Shehu ka treguar se sivjet shirat i kanë dëmtuar të vjelat, dhe sipas tij, kjo ka ndikuar edhe në kualitetin e rrushit që ata prodhojnë.

“Sivjet, vjeljet e rrushit nuk janë mirë në krahasim me vitin e kaluar, domethënë kemi pas të reshurat e shiut, edhe sa i përket vjeljeve të rrushit, kualiteti i rrushit nuk është i mirë, sa i përket aspektit të sheqerit, domethënë glukozës dhe kalbësimi që ka në rrush”, ka thënë Shehu.

Ai po ashtu ka thënë që produktet e tyre i shesin edhe në vendet perëndimore, ndërsa ka treguar që tashmë po përgatiten për t’i dërguar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Po, momentalisht jemi në Zvicër, kemi edhe kompaninë tonë atje, jemi në Gjermani e po ashtu edhe në Britaninë e Madhe, edhe jemi t’u u ba gati për eksportimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Shehu.

Back to top button