​Zemaj: Të lënduarit janë të sigurt në duart e mjekëve

 

15 persona po trajtohen në Qendrën Emergjente të QKUK-së, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në një prej lokaleve në qytetin e Ferizajt.

Të lënduarit e sjellur në QKUK i ka vizituar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka thënë se të gjithë pacientët janë në jetë.

Ai falënderoi stafin mjekësor të Emergjencës, por edhe Spitalit rajonal të Ferizajt, ndërsa ofroi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.

“Fati i mirë është që të gjithë janë në jetë, janë duke marrë trajtimin e duhur shëndetësor me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që i ka emergjenca në Prishtinë, por edhe profilet tjera të cilat janë angazhuar në trajtimin e tyre për shkak të djegieve të cilat ata kanë pësuar. Ne i vizituam edhe fizikisht. Janë duke u trajtuar. Vlen të theksohet që koordinimi i mirë mes spitalit të Ferizajt dhe emergjencës së QKUK-së tregon përkushtimin e profesionistëve shëndetësorë dhe mbi të gjitha shpëton edhe jetë që është ky rast. Më lejoni që të ju shprehi shëndet dhe shërim sa më të shpejtë të gjithë të lënduarve dhe familjeve të tyre sa më pak shqetësim sepse besoj që të gjithë janë të sigurt në duart e mjekëve tanë dhe janë duke marr trajtimin adekuat”, tha ai.

Ndërsa Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente, tha se në këtë klinikë nga Spitali Rajonal i Ferizajt janë sjellur 15 pacientë, tre prej tyre në gjendje më të rënduar.

“Në Klinikën Emergjente kemi gjithsejtë 15 të lënduar si pasojë e eksplodimit të bombolës. Për momentin janë 4 të pranuar, tre në kujdesin intensiv, pas trajtimit të plagëve të djegura në sallën operative dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Mjekimit Intensiv Qendror. Ndërsa një e moshës 20 vjeçare si pasojë e djegies së fytyrës, kokës, dërgohet për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Ortopedisë. Ndërsa 10 të tjerë po qëndrojnë ende në Klinikën Emergjente që janë duke u trajtuar nga kirurgët plastik”, tha ai.

Si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit, u lënduan mbi 40 persona.

Back to top button