10.43 milionë euro janë investuar në Bono të Diasporës!

Dje ishte data e fundit për të investuar në emetimin e parë të Bonove të Diasporës. Ky emetim u përmbyll me sukses, duke arritur shumën totale prej mbi 10 milionë euro në emetimin e parë. Kështu ka thënë Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”.
Murati tutje ka treguar se ku do të përdoren këto mjete.
“Mjetet nga Bonot e Diasporës ne do t’i përdorim për të mbështetur prodhuesit vendorë në kuadër të Masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, dhe që tani do ta përcjell propozim vendimin për mbledhjen e radhës së Qeverisë”, ka thënë Murati.
Ai ka falënderuar të gjithë bashkatdhetarët për mbështetjen e vazhdueshme që i japin vendit.
Periudha e shitjes së këtyre bonove ishte nga 21 korriku deri më 18 gusht, kurse data e emetimit është më 20 gusht, 2021. Shuma minimale për blerje ishte 10,000 euro, kurse ajo maksimale për një person në një bankë ishte 500,000 euro.
Investimi në bono është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Publik, ku interesi i përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, garantohet për të gjithë kohëzgjatjen, 3 dhe 5 vjet, dhe është tërësisht i liruar nga tatimi./21Media

Back to top button