“10% i Trustit dhe mjetet nga diaspora, infuzion i mirë”
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi sonte u shpreh se 170 milione euro është shuma e përafërt që do te deponohen në llogaritë bankare të qytetarëve brenda kësaj jave, pas aplikimit për tërheqje të 10% të mjeteve që i kanë kursyer në Trust.
“Shpenzimi i ketyre mjeteve brenda vendit + mjetet qe do te hyjne ne ekonomi, nga ardhja e diaspores, jane padyshim infuzioni me i mire per ekonomine e vendit, ne kete vit te mbijeteses.”, shkroi Rukiqi në facebook.
Ndërkohë, Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka njoftuar se sot fillon ekzekutimi i pagesave për përfituesit e 10%. Kjo është bërë e ditur në një njoftim për media nga Trusti.
“Pas përpjekjeve maksimale nga stafi i Trustit, që pagesat të kryhen sa më shpejt, ju bëjmë të ditur se sot, gjatë ditës, fillon ekzekutimi i pagesave për aplikimet e realizuara më datë 11 dhjetor 2020. Pas dërgimit të mjeteve në banka, presim që pagesat të dalin në llogari të përfituesve brenda 24 orëve. Për informim, më 11 dhjetor kanë aplikuar 219,729 kontribuues dhe për ta do të shpaguhen rreth 112.2 milionë euro. Ndërsa nesër, më 22 dhjetor, do të ekzekutohen pagesat për aplikimet e realizuara prej 12 deri 17 dhjetor 2020. Edhe ato presim të dalin në llogari brenda 24 orëve të tjera. Këtu përfitues janë 137,543 kontribuues me rreth 58.3 milionë euro”, ka njoftuar Trust-i./21Media