100 eurot e qeverisë po konsiderohen mashtrim i momentit

Masat e reja të pakos mbështetëse të qeverisë së Kosovës që u prezantuan sot hasën në kritka jo vetëm nga opozita, por edhe ekspertë të ekonomisë.
Kështu, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj për portalin rtv21.tv ndonëse e ka konsideruar si të mirëseardhur e ka cilësuar si zgjidhje të momentit. Ai ka vënë në pah dallimet sociale që bëhen me këtë pako.
“Duhet ta kemi të qartë që e kemi edhe një dallim shumë të madh për faktin që kemi edhe punëtorë në sektorin publik dhe privat të cilët e kanë paga jashtëzakonshit diferenciale, kemi sektorin publik me paga 5000 euro po ashtu dhe në sektorin privat mundet me qenë, por kemi edhe pagë minimale 130 ose 170 që dallimi është i madh për faktin që këtyre u shtohen vetëm 100 euro dhe nuk është që bëjnë zgjidhje ndërsa ata e kanë një pagë jashtëzakonisht të lartë dhe nuk kanë nevojë për 100 euro sepse edhe nuk mundet me hy në kategori sociale një i punësuar i cili e merr një pagë 3000 euro ose 5000 ose 1000 kështu që është dicka e pakuptimtë.”, ka thënë Kadriaj.
Megjithatë, sipas tij kjo pako mund të ndikojë te kategoria e studentëve dhe pensionistëve.
“Te punëtorët kjo nuk bën zgjidhje dhe me këto lloj sjelle qeveria nuk po bën asnjë zgjidhje por vetëm është një mashtrim i momentit e zgjidhje afatgjate jo. Aq më shumë nuk është një pako sociale për tre muaj është vetëm për një muaj, uroj që të vazhdojë, por me atë që u pa sot është vetëm për një muaj dhe kjo nuk bën zgjidhje po shihet që kjo qeveri nuk ka interesim në pako ekonomike për ta ringjallur dhe këndellur ekonominë por thjesht një lloj mashtrimi i masës dhe pak a shumë është duke luajtur me ndjenjat e kategorisë sociale siç janë pensionistët dhe studentët duke të cilët nuk kanë të hyra të cilët munden me qenë të manipuluar thjesht.”, ka vlerësuar Kadriaj duke shtuar se një gjë e tillë nuk i bën mirë as qeverisë e as ekonomisë së vendit .
Kadriaj për portalin rtv21.tv ka deklaruar se ekonomia e Kosovës e as qytetari nuk kanë nevojë për siç i ka quajtur ai këso lloj lojërash
“Duhet të merret më shumë pakoja ekonomike e cila duke përkrahur bizneset dhe punëtorët me një vlerë më të madhe jo me këto 100 euro do të këndellet ekonomia dhe do të ketë ndikim në të gjitha aspektet e jetës sepse një biznes i fuqishëm ngërthen në vete fuqi punëtore, rrit pagat po ashtu edhe fuqia punëtore me të hyrat që krijohen, krijohet thjesht edhe fuqia blerëse e cila ndikon tek bizneset komerciale dhe kështu bëhët një zingjir i cili thjesht ndikon në taksa dhe tatime” ka thënë Kadrijaj.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Mustafë Kadriaj qeveria është e interesuar vetëm në asistencë sociale “kjo për një ekonomi të tregut nuk qëndron dhe nuk i bën mirë ekonomisë së vendit.”, ka përfunduar ai.
Masat e reja janë pritur me kritka edhe nga opozita. PDK ka cilësuar Qeverinë Kurti të paaftë për të qeverisur, pas vendimit të kësaj të fundit për ndarjen e shtesave prej 100 eurove për punëtorët, studentët e pensionistët vetëm për muajin prill.
Nga LDK kanë thënë se në mungesë të vizionit për zhvillim ekonomik, kjo qeveri po iu ndanë qytetarëve lëmoshë.
Kurse, AAK e ka cilësuar si shumë të vogël, ndërkohë që ka propozuar që paga minimale të jetë 370.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e studentëve ndonëse e kanë mirëpritur këtë vendim, nga organizata Paqja Studentore për portalin rtv21.tv kanë thënë se kjo ndihmë do të ishte e nevojshme për një vit./21Media

Back to top button