Ndarja e 100 eurove, ​PDK: Çfarë do të bëjnë qytetarët në muajin maj?

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Berndard Nikaj e ka cilësuar Qeverinë Kurti të paaftë për të qeverisur, pas vendimit të kësaj të fundit për ndarjen e shtesave prej 100 eurove për punëtorët, studentët e pensionistët vetëm për muajin prill.
Sipas tij, kryeministri çdo ditë po e dëshmon se ai dhe ministrat e tij nuk kanë asnjë ide për ta zhvilluar vendin dhe për të adresuar nevojat dhe brengat e qytetarëve.
“Krejt çfarë po bën Kryeministri Albin Kurti sot, është ajo që ai di ta bëjë më së miri, e që është populizmi.  Pasi ua rriti çmimin e energjisë elektrike me mbi 100% qytetarëve të Kosovës dhe pasi nuk po arrinë të kontrolloj rritjen enorme të çmimeve të çdo produkti elementar të shportës familjare, qeveria e nisi sot ditën me një tentim për të mashtruar sërish qytetarët e Kosovës përmes një lëmoshe as më shumë dhe as më pak se në vlerën 100 euro.”, tha ai.
Duke e cilësuar këtë vendim si ndihmë sociale që do të jepet vetëm për muajin prill, Nikaj ka shtruar pyetjen se çfarë do të bëjnë qytetarët në muajin maj.
PDK vlerëson se zgjidhja më e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim është miratimi i ligjit të pagave dhe rritja e pagës minimale. Dhe përderisa kjo të mos bëhet PDK vlerëson pakoja prej 100 eurove duhet të vazhdojë për të gjithë punëtorët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka treguar masat e reja në kuadër të pakos së mbështetjes për qytetarët./21Media

Back to top button