100 fëmijë lëmoshë-kërkues në Kosovë

Mbi 100 mijë persona jetojnë me asistencë sociale në vend

180 euro në muaj janë të paraparë me ligj për një familje 15 anëtarëshe, ndërkohë në institucionet e Kosovës janë pagat më të mëdha në rajon. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, e ndonjëherë edhe detyrimit familjarë, një numër i madh i fëmijëve në vend, bëjnë punë të rënda. Në të ftohtë, e gjatë netëve të vona janë rreth 100 fëmijë që kërkojnë lëmoshë rrugëve, edhe pse në Kosovë ndalohet me ligj angazhimi i fëmijëve në aktivitete që dëmtojnë zhvillimin e tyre.

Për këtë organizatat që merren me të drejtat e njeriut thonë se një numër i madh angazhohen në aktivitete të ndryshme në rrugë që dëmtojnë shëndetin psiko-fizik të tyre.

Ata bëjnë thirrje për shtimin e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, siç është hapja e më shumë qendrave për strehimin e përkohshëm.

Aktualisht Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale ka regjistruar rreth 100 fëmijë që bëjnë punë të rënda. Selvete Sadiku, udhëheqëse e Divizionit për Asistencë Sociale thotë për kp, se Prishtina është qyteti me numrin më të madh të lëmoshë-kërkuesve.

Veprimtaritë e tilla bien ndesh me ligjin, sipas të cilit ndalohet punësimi i fëmijës në aktivitete që dëmtojnë sigurinë, shëndetin, moralin dhe zhvillimin psiko-fizik të tyre.

Në një përgjigje me shkrim, Policia e Kosovës ka treguar për numrin e personave të evidentuar si lëmoshë-kërkues gjatë vitit 2019.

“Në vitit 2019 janë evidentuar gjithsej 232 persona kërkues lëmosh. Fletëparaqitje për kundërvajtje (gjobitje) janë 17, dhe janë 33 dëbime”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Në mesin e tyre ka edhe shumë persona që nuk kanë strehë. Selvete Sadiku thotë se është në mandatin e komunës që të merren me strehimin e tyre.

Për këtë Dren Kukaj që udhëheq Departamentin për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës zotohet se janë në finalizim të një plani për strehimin e personave që nuk kanë se ku të flenë e zgjohen.

Shkalla e varfërisë në vend është rreth 30 përqind. Selvete Sadiku nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka treguar se në Kosovë janë 24,352 familje që marrin asistencë sociale.

Përfaqësuesja nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Valentina Demolli thotë se shteti do të duhej më seriozisht të bëjë në plan-veprimi me të cilën do të mund të sanonte rastet kur fëmijët po merren me punë, të cilat nuk janë për ata.

Demolli konsideron se përveç një vendstrehimi do të duhej edhe të ofrohen kushtet tjera, që ata të kthehen në procesin mësimor.

Në përpjekje për t’u dalur në ndihmë këtyre fëmijëve organizata “Terdezom”, bashkë me Komunën e Prishtinës hapën gjatë vitit 2019, qendrën e parë në Kosovë për strehim ditor të fëmijëve. Prishtina, Prizreni e Fushë Kosova janë tri qytetet ku ka më së shumti lëmoshë-kërkues.

Vitin e kaluar vlera mesatare e asistencës sociale ishte 75 euro në muaj, përderisa paga mesatare mujore në sektorin publik është 573 euro.

Back to top button