Shqipëria e Kosova shënojnë 28 Nëntorin
(Lajm i përditësuar)
25 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë
Sot u bënë 25 vjet nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.
Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.
Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.
Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj.
Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari
Komandanti legjendar Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 67 vjet.
Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.
Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.
Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.
Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.
Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.
Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.
Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.
Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme.
Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.
Me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.
110 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë
Sot 110 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti u mbaj më 28 nëntor 1912, me aktin s shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.
Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurt, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshoj vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.
Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 u pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike.
Gjysma e popullsisë shqiptare mbeten nën sundimin serbo- malazez dhe grek.
Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dal nga Kuvendi i Vlorës. U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.
Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli.
Qeveria e Vlorës:
Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Dom Nikoll Kacërri, Zv.Kryeministër
Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme
Abdi bej Toptani, Ministër për Financat
Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen)
Petro Poga, Ministër për Drejtësinë
Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin
Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore
Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë
Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.