Disa rekomandimet me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafikun rrugor

Disa rekomandimet me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafikun rrugor

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) sot u mbajt takim i përbashkët me përgjegjësitë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës lidhur me sigurinë në trafikun rrugor dhe numrin e lartë të aksidenteve në trafik.

Në njoftimin e IKSHPK-së, thuhet se siguria rrugore është një çështje shumë e rëndësishme dhe Kosova ka pasur rritje të konsiderueshme të numrit të vdekjeve në trafik në dekadën e fundit, e po ashtu edhe numri i këmbësorëve të vdekur në aksidente rrugore është shumë i lartë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, Kosova në vitin e kaluar (2019) në aksidentet në trafik ka pasur 113 persona të vdekur, ndërsa në vitin paraprak (2018), kishte gjithsej 129 persona të vdekur në aksidentet me fatalitet në trafik.

Në takim u konstatua se shkaqet e aksidenteve në trafik janë të shumta dhe të ndryshme, por sigurisht faktori njeri mbetet faktori më i shpeshtë, pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, respektivisht masat që ndërlidhen me shpejtësinë, përdorimin e rripave të sigurisë dhe ulëseve për fëmijë, përdorimin e alkoolit, drogave dhe medikamenteve, mbajtjen e distancës së sigurisë, si dhe gjendjen e automjeteve dhe kohën e ngasjes dhe pushimit për shoferë.

IKSHPK dhe Policia e Kosovës theksojnë se zhvillimi i një kulture të sigurisë rrugore, është shumë me rëndësi, prandaj, duhet ngritur edhe më tej vetëdijesimin e popullatës për rreziqet dhe përgjegjësinë e tyre në trafik, si dhe duhet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme nga institucionet përgjegjëse për zvogëlimin dhe parandalimin e aksidenteve në trafik.

IKSHPK dhe Policia e Kosovës përsërisin edhe disa nga rekomandimet me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafikun rrugor:

1. Qytetarët duhet të respektojnë të gjitha rregullat në trafikun rrugor;

2. Shoferët duhet të jenë të përqendruar maksimalisht gjatë drejtimit të automjetit;

3. Shoferët duhet të respektojnë shpejtësinë e lejuar;

4. Shoferët duhet të mos i përdorin telefonat mobil gjatë vozitjes;

5. Shoferët me dënime të njëjta të përsëritura duhet të detyrohen t’i nënshtrohen testeve psikologjike, dhe për ta nevojiten masa më të rrepta sanksionuese dhe masa shtesë për përmirësimin e ngasjes së tyre;

6. Lëshimi i certifikatës mjekësore për patentë shofer, duhet të bëhet duke respektuar kriteret në mënyrë rigoroze

7. Këmbësorët si pjesëmarrës në trafik janë të obliguar t’i respektojnë rregullat e trafikut, njësoj sikur edhe pjesëtarët e tjerë në trafik.