12 vite burgim për Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte

 

Gjykata e Prishtinës, ka shpallur aktgjykim dënues për Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në Lagjen “Kristal” dhe “Te Soliterat”, në Pejë.

Gjokiq, është dënuar me 12 vite burgim në të cilin dënim do t`i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.Shpalljen e aktgjykimit e bëri gjykatësi Arben Hoti.

Vlen të ceket se para shpalljes së këtij aktgjykimi gjykatësi Hoti, deklaroi se gjykata ka analizuar gjitha provat veç e veç si dhe ka vërtetuar gjendjen e fakteve bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve dhe provave materiale duke nxjerr përfundime se cilat fakte konkrete janë vërtetuar lidhur me këtë çështje.

Tutje i njëjti tha se Gjykata në fillim ka vërtetuar faktet jo kontestuese, se me datën 28-29 mars në vitin 1999 në Pejë kishte ndodhur një aksion i forcave serbe kundrejt popullatës shqiptare me qëllim të dëbimit nga shtëpitë dhe vrasjen e tyre.“Gjykata ka analizuar edhe alibinë e të akuzuarit dhe ka arritur deri te përfundimi se një alibi e tillë nuk është vërtetuar”, shtoi gjykatësi Hoti.

Prokurorja speciale, Habibe Salihu në seancën e datës 15 janar 2021, kishte zgjeruar dhe ndryshuar aktakuzën.

“Pasi që gjatë shqyrtimit gjyqësor, provat e shqyrtuara tregojnë se gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë është ndryshuar.

Në anën tjetër nga administrimi i provave gjatë shqyrtimit gjyqësor është zbuluar se i akuzuari Zoran Gjokiq më 28 mars 1999, ka kryer dhe një vepër tjetër penale, për këtë kam bërë zgjerimin dhe ndryshimin e aktakuzës”, kishte deklaruar prokurorja Salihu.

Kujtojmë se në fjalën përfundimtare të dhënë me datë 4 shkurt 2021, prokurorja Habibe Salihu dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Kujtim Kërveshi kanë kërkuar që Gjokiq të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit, kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ljubomir Pantoviç, ka kërkuar lirim nga akuza.

Sipas aktakuzës të ndryshuar i akuzuari Zoran Gjokiq, akuzohet se gjatë muajit mars – prill, të vitit 1999 gjegjësisht me datë 29 mars të vitit 1999, në lagjen “Kristal” në Pejë, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal të nacionalitetit serb, në mesin e të cilëve ishte edhe një person i quajtur D., si dhe NN persona të paidentifikuar deri më tani, të veshur me uniforma policore, paramilitare dhe ushtarake iu kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose shëndetit, kanë aplikuar masa frikësimi, ndaj popullatës së pambrojtur civile kanë kryer vrasje plaçkitje të një, qyteti ose një vendi, kanë urdhëruar zhvendosjen e popullatës civile për shkaqe që lidhen me konfliktin drejtuar me qëllim, kundër popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civil që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt.Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zoran Gjokiq, duke bashkëvepruar me personat tjerë, ka shkuar në lagjen “Kristal” të Pejës, ka marrë pjesë në aksionin që kishte filluar për vrasjen dhe dëbimin e qytetarëve shqiptar nga shtëpitë e tyre, ashtu që deri sa familja e të dëmtuarit L. H., i, gjegjësisht vëllai i tij B., dhe fëmijët e tyre, kane qenë duke u larguar dhunshëm nga shtëpia e tyre, gjatë kohës sa kanë qenë duke u futur në veturën ‘Yugo’ 45A, kanë tentuar që ta ndalin duke iu drejtuar me fjalët “ndalu, ndalu”, dhe meqenëse të njëjtit nuk janë ndalur, me qëllim që t’i privojnë nga jeta kanë shtënë me amë në drejtim të tyre, me ç ‘rast me katër plumba është goditur vetura ku ishin edhe dy fëmijët e mitur të të dëmtuarit L. H., të cilët në ato momente ishin duke u larguar me axhën e tyre B., prej të cilave të shtëna janë plagosur të dy djemtë e të dëmtuarit L. H,. dhe atë djali i madh i L., i moshës 9 vjeçare duke ia mbajtur dorën vëllait të vet të vogël tre vjeçar, me qëllim që ta mbroj, ku me këtë rast goditet në dorën e djathtë, ndërsa djali i vogël i cili ishte mbrapa shpinës së tij është goditur me plumb me ç‘rast i janë shkaktuar lëndime trupore./kallxo

Back to top button