123 aksidente trafiku brenda 24 orëve në Kosovë, policia porosit për kujdes

Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha në një prononcim për portalin rtv21.tv përcolli porosinë e policisë që shoferët të kenë kujdes në trafik në këtë kohë festash.

“Kërkojmë nga të gjithë shoferet të jenë të kujdesshëm, të respektojnë rregullat në trafik posaçërisht në këtë kohë festash të fundvitit në mënyrë që të shmangen aksidentet rrugore dhe të kemi siguri me të madhe nëpër rrugët tona.”, tha Hoxha.

Porosia e policisë vjen pasi që ditëve të fundit është rritur numri i aksidenteve. Vetëm gjatë ditës së martë në Kosovë kanë ndodhur 123 aksidente trafiku. Kështu është bërë e ditur përmes raportit 24 orësh të policisë.

Sipas njoftimit  aksidente trafiku me të lënduar kanë qenë 35, ndërsa aksidente trafiku me dëme materiale kanë qenë 88, transmeton rtv21.tv.

Në bazë të statistikave të përgjithshme raportohet se policia gjatë ditës së djeshme ka shqiptuar 2551 tiketa trafiku./21Media

Back to top button