Prezantohen rezultatet e studimit të fizibilitetit për Sistemin e Informimit Shëndetësor

Ministria e Shëndetësisë prezantoi sot rezultatet e studimit te fizibilitetit, i cili kishte për synim të ofroj mundësi për menaxhimin operacional afat-gjatë të Sistemit të Informimit Shëndetësor Kombëtar.

Studimi, i planifikuar nga Ministria e Shëndetësisë në tetor 2016, është realizuar nga ekspertë të jashtëm të kompanisë “Alistiq”, mbështetur financiarisht prej Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës përmes “Programit Mbështetës për Shëndetësi në Kosovë (Faza II) – KSV/017”.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte që të prezantohen rekomandime për diskutime të mëtejshme se si të menaxhohen shërbime operative afatgjatë, si dhe zhvillimet e mëtejshme për Sistemin Kombëtar të Informimit Shëndetësor Kosovar.

Duke përshëndetur të pranishmit, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, tha se Ministria e Shëndetësisë ka të miratuar Strategjinë e Sistemit të Informimit Shëndetësor i cili mbulon periudhën 2010-2020.

“Kjo strategji parasheh sistem unik të informimit për të gjitha institucionet publike shëndetësore, ndërsa në fazën përfundimtare parasheh edhe mundësinë e integrimit të sektorit privat shëndetësor”, tha Ministri.

Ai shtoi se zhvillimi i sistemit të integruar të informimit shëndetësor është projekt i Ministrisë së Shëndetësisë i mbështetur nga Qeveria e Luksemburgut si dhe Qeveria e Kosovës. Aktualisht është në përfundim të fazës së pilotimit. Deri më tani rreth 62 institucione të nivelit parësor dhe dytësor të Komunës së Prishtinës dhe Regjionit të Prizrenit janë duke e shfrytëzuar në mënyrë rutinë këtë sistem. Të mirat e tij kanë nisur të vilen që tani dhe si rezultat është rritur efikasiteti dhe saktësia në ruajtjen e informacionit shëndetësor si dhe është krijuar mundësia e gjenerimit të raporteve dhe indikatorëve të ndryshëm sasior dhe cilësor të cilët do të shërbejnë për një vendimmarrje më të mirë dhe të bazuar në evidencë, tha Ministri Rrahmani.

Ai tha se Ministria është duke bërë përpjekje që me përfundimin e kësaj faze pilot, të fillohet menjëherë me shtrirjen e Sistemit në të gjitha institucionet shëndetësore publike të Kosovës, e më vonë edhe ato private.

“Me që ky sistem është mjaft kompleks si për nga teknologjia e cila është dashur të implementohet dhe që duhet të operohet, shkalla e shtrirjes (me diku rreth 250 institucione shëndetësore), e si për nga aspekti organizativ, Ministria është gjetur para një sfide jo të vogël në përpjekjen për ta mbajtur gjallë dhe implementuar planin e paraparë me Strategji”, tha Ministri. Ai ka falënderuar Qeverinë e Luksemburgut që me fondet e Projektit KSV017, po ndihmon zhvillimin e SISH-it.

Një prezantim të Projektit KSV/017 e ka bërë udhëheqësja e këtij projekti në Kosovë, Afërdita Ademi-Osmani, derisa ekspertët kanë bërë prezantimin e studimit që ngërthen në vete çështje që lidhen me rregullime institucionale, teknike, financiare dhe ligjore për implementimin e SISh-it; një përshkrim i detajuar për mundësitë ligjore dhe financiare për menaxhimin afatgjatë të investimeve për SISh-in; Licencimi, leje-dhënia, dhe rreziqet e tjera të lidhura me mundësitë e investimeve dhe detajet e një raportit fillestar për studimin e tregut.

Në fund të punëtorisë janë dhënë edhe rekomandime dhe një prej tyre ka qenë që funksionalizimi i SISh-it në tërësi, mund të marr në konsideratë edhe modelin e partneritetit publiko-privat, krahas mundësive të tjera.

Back to top button