1270 insulina u shpërndan vetëm sot në Prishtinë
Qytetarë të shumë të Prishtinës të cilët vuajnë nga diabeti sot ia kanë mësyrë barnatores së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, kjo pasi tashmë kjo farmaci është furnizuar me 40 mijë doza të insulinave të cilat kanë munguar tash e disa muaj.
Prej këtyre 40 mijë dozave deri në orën 15:00 u shpërndanë rreth 1270 shiringa të insulinave për të cilat qytetarët u detyruan t’i blinin në farmacitë private, por edhe jashtë Kosovës.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi tha se fal një kontrate vetanake të Komunës e cila kap shifrën e rreth 200 mijë eurove kanë arritur që të furnizohen me insulina.
Ai tha se fondet për këtë kontratë janë siguruar nga Fondi për situate emergjente.
Gashi tutje ka treguar se me këto doza të insulinave që tashmë kanë siguruar, furnizimi për insulinovarësit është i mundur për 5 muaj.
Ai tha se këto insulina do të shpërndahen vetëm për banorët e kryeqytetit.
E blerja e këtij kontingjenti të insulinave i ka gëzuar shumë pacientët që vuajnë nga diabeti, të cilët në pamundësi të furnizimit nga Barnatorja Kryesore e QKMF janë detyruar t’i sigurojnë vetë.
Vuan që 30 vite nga diabeti, por tash e sa muaj i detyrua t’i blejë vetë insulinat për të cilat ka shumë nevojë. Isuf Rexhaj thotë se sot i mori 8 shiringa të cilat i mjaftojnë për 1 muaj.
Ai ka kritikuar ashpër ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia që nuk po siguron insulina për këto pacientë, por në anën tjetër e ka lavdëruar kreun e Prishtinës, Shpend Ahmetin.
Edhe Ejup Murati u furnizua me doza të mjaftueshme për 1 muaj me insulina. Ai thotë se duke mos pasur insulina në sektorin farmaceotik publik djali i tij u detyruar t’i dërgoj nga Gjermania.
Tash e dy muaj nuk ishte furnizuar me insulina as Sahit Shala i cili thotë se mezi ia ka dal për t’i siguruar dozat e nevojshme.
Pacientët që vuajnë nga diabeti tash e sa muaj janë detyruar që t’i sigurojnë vetë insulinat, pasi Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka arritur t’i sigurojë ato edhe pse ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një intervistë për KosovaPress ditë më parë ka paralajmëruar se shumë shpejt QKMF-të e Kosovës do të furnizohen me llojet e insulinave, por që kjo ende nuk ka ndodhur