13 persona vdiqën pasi ranë në bunar gjatë një ceremonie martesore

 
Të paktën 13 persona, përfshirë një fëmijë njëvjeçar, kanë vdekur pasi kanë rënë në një bunar gjatë një ceremonie martesore në Indinë veriore, thanë të mërkurën autoritetet nga shteti Uttar Pradesh.
Viktimat, të cilët ishin të gjithë gra dhe fëmijë, ishin ulur në një pllakë që mbulonte pusin kur ai u rrëzua dhe u shemb, sipas policisë nga rrethi Kushinagar i shtetit ku ndodhi incidenti, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv
Një person tjetër ka mbetur i lënduar nga ngjarja, tha policia.
“Ky është një incident fatkeq gjatë një ceremonie martese”, tha zyrtari i lartë i policisë së Kushinagar, Sachindra Patel, duke shtuar se ata po hetojnë rastin.
Policia nuk ka identifikuar menjëherë viktimat.
Të ftuarit e dasmës po merrnin pjesë në ceremoninë ‘haldi’, një traditë hindu ku shafrani i Indisë aplikohet në fytyrën e nuses dhe dhëndrit për fat të mirë.
Kryeministri Narendra Modi i quajti vdekjet “pikëlluese” në një postim në Twitter të enjten.
“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e atyre që kanë humbur jetën”, tha ai, “Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Administrata lokale do të ndihmojë në çdo mënyrë”./21Media

Back to top button