Janë 13 të moshuar të cilët po qëndrojnë në izolim në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë. Ndërkohë që deri më tani janë konfirmuar rreth 50 prej tyre me koronavirus.

Gjatë vizitës së ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtorit të IKShPK-së, Naser Ramadani në këtë shtëpi, u tha se shumë shpejt po presin ndërtimin e shtëpisë në Suharekë, në mënyrë që të mos ngarkohet objekti ku ndodhen tani.

Tash e sa vjet, mbi 60 persona po qëndrojnë pa përkujdesje të familjes, në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë. Gjatë kohës së pandemisë, shumë prej tyre edhe u infektuan nga pandemia COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se sot po vizitojnë ata për të parë gjendjen shëndetësore dhe trajtimin e tyre.

“Synimi jonë është që të mos anashkalojmë asnjë kategori sociale në Republikën e Kosovës. Por të kujdesimi që të gjitha këto të mira materiale dhe resurse që kemi dhe potencialin që ka Ministria e Shëndetësisë t’i përkthejë në angazhim por mbi të gjitha edhe në kujdes, qoftë edhe ai human. Sepse kjo kategori kërkon përtej punës ditore dhe angazhimit që e kemi edhe ligjor që të kujdesimi në rrethanat të cilat po kalojmë në luftimin e pandemisë COVID-19”, ka thënë Zemaj.

Ai tha se përkundër kushteve jo edhe shumë të mira, panë përkushtim të stafit ndaj kujdesit të banorëve për ruajtje nga COVID-19.

“E pamë një përkushtim të stafit, në mbikëqyrjen e tyre, trajtimin ndoshta edhe kufizimin e lëvizjes, sepse kemi të bëjmë me një kategori të moshuar dhe që kërkon edhe kujdes shtesë tjetër, duke pasur parasysh moshën dhe ndonjë sëmundje përcjellëse që e kanë. Kushtet dhe rrethanat është kjo që ofron Shtëpia e të Moshuarve. Para pak kohësh unë kam vizituar edhe Shtëpinë e Pleqve në ndërtim e sipër që është në Suharekë, besoj që shumë shpejt do të bëhet edhe ajo funksionale. Dhe do të shohim që të racionalizojmë ata të cilët kanë nevojë që të mos ngarkojmë shtëpinë këtu”, u shpreh ai.

Aktualisht në këtë shtëpi janë 68 të moshuar të cilët kalojnë këtë periudhë të jetës, larg familjes. Mentor Morina i cili është drejtor i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare tha se shumica e të moshuarve që kanë rezultuar pozitiv janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Aktualisht kemi 13 klientë rezidentë pozitiv, janë duke u trajtuar në repartin e veçantë, i dedikuar vetëm për rezidentët të cilat janë pozitiv. Stafi është i përkushtuar, njëherit dëshirojmë ta falënderojmë MSH-në, IKShPK-në për testimet e vazhdueshme, sa herë që Shtëpia e të Moshuarve ka bërë kërkesë në MSH…Edhe pjesa e stafit të cilët kanë rezultuar pozitiv janë ndihmuar me staf shtesë përmes Agjencisë për Punësim të Kosovës”, ka theksuar Morina.

Ministri Zemaj në këtë vizitë tha se kanë sjellur edhe pajisje mbrojtëse dhe dezinfektues që t’iu dalin në ndihmë kësaj kategorie.