131 gjoba për shkelësit e masave anti-COVID në Prizren
Gjatë fundjavës në Prizren, Policia ka zhvilluar aktivitete në parandalimin dhe respektimin e masave kundër Covid-19 dhe parandalimin e aksidenteve në komunikacion.
Gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, angazhimet policore në zbatim të masave anti covid-19 në qendrat tregtare, sheshe dhe lokacionet tjera në komunën e Prizrenit, policia ka shqiptuar 131 tiketa për personat të cilët nuk i kanë respektuar këto masa në bazë të ligjit.
“Jo vetëm këto, por janë shtuar aktivitetet në parandalim të aksidenteve dhe kontrollimin e rrjedhës së trafikut, ku në pasqyrimin e aktiviteteve tjera dhe kontrollimin e komunikacionit policia ka shqiptuar gjithsej 535 tiketa të kundërvajtjeve në komunikacion. Aktiviteti i policisë ishte përkushtuar në realizimin dhe zbatimin e urdhëresave nga gjykata, vetëm gjatë javës së kaluar janë realizuar gjithsej 47 urdhëresa, ku 47 persona të dënuar apo të ftuar për intervista janë ndaluar sipas vendimeve të gjykatës themelore në Prizren dhe Suharekë. Aktivitete të tilla do të jene në vazhdimësi”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës njofton se në 24 orët e fundit në gjthë vendin janë shqiptuar 379 gjoba. Në fillim të dhjetorit Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja antiCovid-19.
Maska mbetet obligative, me përjashtim të rasteve kur je duke drejtuar veturën i vetëm apo ke anëtarë të familjes në veturë, gjatë vrapimit e ushtrime fizike apo gjatë ngrënies apo pijes.
Në një nga masat thuhet se në transportin publik, stafi dhe pasagjerët duhet të posedojnë një nga dëshmitë për COVID-19 në mënyrë që të lejohen të udhëtojnë.
Ndalohet hyrja pa maskë në ambiente të mbyllura.
Kufizimi i qarkullimit vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 5 të mëngjesit. Me përjashtim të rasteve të caktuara.
Po ashtu gjithë përfituesit nga skemat sociale e pensionale janë të liruar nga paraqitja e rregullt.
Ndërkohë janë ndaluar veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare e shoqërore.
Gastronomia lejohet deri 50 për qind të kapacitetit në hapësira të mbyllura e deri 70 për qind në të hapura. Shërbimet e gastronomisë lejohen nga ora 5 deri në orën 23:00, ndërsa muzika lejohet deri në orën 21:30.
Në taksi lejohet të udhëtohet vetëm me dy udhëtarë./21Media