Lansohet “Agjenda për barazi gjinore dhe planin e veprimit 2021-2023”

Policia e Kosovës ka lansuar “Agjendën për barazi gjinore dhe planin e veprimit 2021-2023”. Vendimi i tillë u mirëprit nga krerët e shtetit dhe u konsiderua i nevojshëm për vendin.
E pranishme ishte Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se është e lumtur që janë bërë bashkë për të diskutuar një çështje të cilën e konsideron prioritet kombëtar.

“Si Presidente jam thellësisht e përkushtuar jo vetëm ndaj fuqizimit dhe promovimit të gruas në përgjithësi, por me theks të veçantë  promovimin e tyre në sektorin e sigurisë, duke e parë këtë si parakusht për suksesin e gjithmbarshëm të shoqërisë sonë. Jam e vetëdijshme se është bërë shumë mund e përpjekje për hulumtimin, hartimin dhe përfundimin e Agjendës dhe Planit të Veprimit për Barazi Gjinore të Policisë së Kosovës. Prandaj, më lejoni që t`ju përgëzoj të gjithë juve që keni kontribuar në këtë Agjendë dhe Plan të Veprimit. Në qendër të kësaj Agjende është Barazia, Diversiteti dhe të Drejtat e Njeriut, të cilat janë shtyllat mbi të cilat është ndërtuar Republika jonë”, tha Osmani ndër tjera.

Në këtë organizim mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili  vendimin e sotëm e cilësoi si qasje proaktive të Policisë së Kosovës për arritjen e barazisë gjinore.
“Ky dokument duhet t’i inkurajojë gratë dhe vajzat të bëhen pjesë e Policisë dhe të bëjnë karrierë në sektorin e sigurisë. Pasi vendi ka nevojë për kontributin e tyre”, deklaroi Kurti.
Lansimi i këtij plani për barazi gjinore u konsiderua i nevojshëm nga ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti./21Media 

Back to top button