16 vjeçarja theu rekord, vallëzoi për 127 orë

16 vjeçarja Srushti Sudhir Jagtap nga India mori pjesë në një maratonë vallëzimi, ku edhe theu rekord. Ajo vallëzoi për 127 orë.

Përgjegjës të librit të Ginisit për këtë rekord bënë të ditur përmes një postimi në faqen e tyre të internetit, ku thanë se ajo vallëzoi për pesë ditë.

Srushti me këtë arritje theu rekordin e deritanishëm, të cilin e mbajti valltarja nga Nepali, Bandana, e të cilin rekord e arriti në vitin 2018 për vallëzim për 126 orë.

Srushtin në vallëzimin e saj e përkrahën numër i madh përkrahësish, në mesin e tyre prindërit e saj.

Sipas përgjegjësve të librit të rekordeve, Ginis, ka pasur momente kur ajo është dukur shumë e lodhur, por prindërit e saj i kanë qëndruar pranë gjatë tërë kohës, duke ia spërkatur fytyrën me ujë për ta mbajtur të zgjuar.

Srushti u përgatit për këtë rekord për një periudhë 15 mujore. Për vallëzimin e ushtroi gjyshi i saj, i cili po ashtu ia ka mësuar formën e jogës së quajtur Nidra. Kjo jogë do të thotë “gjumë i thellë”.

Srushti-t gjatë vallëzimit iu mundësua të bëjë nga pesë minuta pushim, këtë çdo orë. Për këta minuta, ajo ka shfrytëzuar banjon apo ka fjetur ngapak./21Media

Back to top button