Kaloni te përmbajtja kryesore

Policia me masa shtesë për zgjedhjet e 7 qershorit, fton qytetarët ta raportojnë çdo rast të dyshimtë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë masa shtesë për zhvillimin e sigurt dhe demokratik të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Policia ka mbajtur sot takime informuese dhe koordinuese me strukturat e saj drejtuese dhe me përfaqësues të institucioneve relevante vendore dhe ndërkombëtare.

“Takimi i parë u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë nga ora 13:15, me drejtorët rajonalë dhe drejtorët e departamenteve të Policisë së Kosovës, ku u diskutua për planifikimet operative, masat e sigurisë dhe angazhimet policore në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të qetë dhe të sigurt në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në takimin e dytë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si dhe përfaqësues të organizatave dhe misioneve ndërkombëtare që monitorojnë dhe mbështesin procesin zgjedhor.

Gjatë këtij takimi janë prezantuan përgatitjet policore, masat e planifikuara të sigurisë dhe mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për ditën e zgjedhjeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Gazmend Hoxha, sipas njoftimit, ka theksuar rëndësinë e angazhimit profesional dhe të paanshëm të të gjithë zyrtarëve policorë, duke vlerësuar se deri më tani procesi zgjedhor është karakterizuar nga një situatë e qetë dhe pa incidente që do të cenonin sigurinë publike apo zhvillimin normal të aktiviteteve zgjedhore.

“Gjatë takimeve u prezantuan gjithashtu detyrat operative, përgjegjësitë institucionale dhe aktivitetet koordinuese që do të ndërmerren para, gjatë dhe pas procesit të votimit, me fokus të veçantë në ruajtjen e rendit publik, sigurinë e qendrave të votimit dhe garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës nga qytetarët”, thuhet në njoftim.

Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që mund të ndikojë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor përmes numrit emergjent 192, në stacionet policore ose përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se për të garantuar integritetin e zgjedhjeve të 7 qershorit janë angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.

Në njoftim theksohet se ata do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.

“Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim e Zyrës së Kryeprokurorit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button