Ibra: Nuk largohem nga futbolli

Zlatan Ibrahimoviq ka folur për herë të parë që nga lëndimi i rëndë në gju

Sulmuesi suedez ka këputur ligamentin e gjurit dhe do të qëndrojë jashtë fushave të blerta nga gjashtë deri në tetë muaj. Pas këtij lëndimi të rëndë, është përfolur që Ibra do të largohet nga futbolli, por një postim i futbollistit të United në rrjetet sociale, ka bërë që të hidhen poshtë mundësitë e një pensionimi të parakohshëm të tij.

“Fillimisht dua t’ju falënderoj për mbështetjen që më keni dhënë. U lëndova dhe për këtë arsye do të qëndroj disa kohë larg futbollit, gjithsesi do ta kaloj edhe këtë pengesë siç kam bërë përherë dhe do të rikthehem më i fortë se më parë. Kam luajtur edhe me një këmbë prandaj nuk mendoj se do ta kem problem. Një gjë është e sigurt, do të vendos unë kur t’i jap fund karrierës sime në futboll. Momentalisht tërheqja nuk është një alternativë”, ka shkruar Ibra

Ende nuk dihet nëse 36-vjeçari do të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm me ‘Djajtë e Kuq’, apo do të nisë një aventurë të re me ndonjë skuadër tjetër.

Back to top button