“Nuk do të ketë luftë në BeH, as në fqinjësi”
Valdner mendon se është fakt se Forcat e armatosura të BeH-së janë “një tregim i suksesshëm
Komandanti i Forcave të Bashkimit Evropian (EUFOR), gjeneral-majori Anton Valdner theksoi se në Bosnjë e Hercegovinë ose në fqinjësi nuk do të ketë luftë.
“Ky vend (BeH), me mbështetje të madhe ndërkombëtare, tani më dy dekada e mban paqen dhe stabilitetin. Nuk shoh çfarëdo indikacione se kjo do të ndryshojë. Nuk shoh se cfarëdo lufte do të ndodhë këtu ose në fqinjësi. Fakt është se këtu nuk ka konflikte për territorin me fqinjët”, deklaroi Valdner në një intervistë për “Dnevni avaz”.
Në sajtin “avaz ba” është publikuar se komandanti i EUFOR e ka komentuar deklaratën e kryetarit të Komisionit Evropian Zhan Klod Junker për “Fajneshëll tajms”, ku përmendi luftë të mundshme në Ballkan dhe në BeH.
Valdner mendon se është fakt se Forcat e armatosura të BeH-së janë “një tregim i suksesshëm dhe se kanë arritur t’i bashkojnë pjesëtarët e e të gjithë popujve që të mbajnë uniformë të njëjtë”.
“Mendimi im është se reformat në sektorin e sigurisë janë një sukses i madh që është arritur këtu. Duke u nisur prej këtu, nuk e shoh të njëjtën gjë si Junker”, theksoi Valdner.
“Dnevni avaz” përkujton se Valdner e shqetëson opinionin me paralajmërimin se “nuk dyshon t’i thërrasë forcat rezerve nëse është e nevojshme”.
Ai theksoi se nuk ka nevojë për t’i treguar “muskujt” me shfrytëzimin e forcës ushtarake.
“Unë mendoj se problemet dhe vështirësitë me të cilat ky vend përballet nuk janë nga natyra ushtarake. Pse të dërgohet grup i armatosur këtu? Çka do të bëjë ai?”, konstatoi Valdner.
Ai potencoi se mendon se ekziston kërcënim nga terrorizmi, siç ekziston edhe në tërë Evropën./21Media