2 milionë euro për bursa në STEM dhe trajnime në IT
Me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, sot në mbledhjen e 36-të të Qeverisë së Kosovës, u ndanë 2 milionë euro për operacionalizimin e masës 1.5 – Trajnimi dhe Punësimi në TI, të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Përmes kësaj mase synohet mbështetja financiare e studentëve përmes bursave, si dhe aftësimi i të rinjve për punësim në fushën e Teknologjisë Informative.
Përkatësisht, në zbatim të Masës 1.5 u ndanë 1 milion euro për subvencionimin e bursave për vajzat në fushën e STEM-it (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, dhe Matematikë) dhe 1 milion euro për trajnimin e të rinjve maturantë në fushën e TI-së.
“Në linjë me Programin e Qeverisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është e angazhuar që të ndërmarrë hapat e nevojshëm që talentet e reja të orientohen në fusha me interes publik, e në të njëjtën kohë që kanë kërkesë të lartë në treg. Andaj, MFPT do të vazhdojë zhvillimin e politikave publike te cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në rritje të punësimit e ngritje të mirëqenies qytetare”, thuhet në njoftimin e MFPT-së./21Media