20 ditë paraburgim për personin që e goditi me grushte bashkëshorten

 

Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega Kaçanik, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.Xh. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake Riza Livoreka, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22.02.2021, në shtëpinë e tyre në Kaçanik, pas një konflikti verbal më bashkëshorten e tij M.M-Xh, lidhur me djalin e tyre M., i njëjti me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarës-viktimës së ndjeshme, e sulmon fizikisht, në atë mënyrë që e godet me grushta në kokë, me ç’rast e dëmtuara ka marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 20 ditëve./21Media

 

 

Back to top button