20 policë janë liruar nga arma, shkak problemet psikologjike

Policia jep informacion për gjendjen psikologjike të zyrtarëve policorë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se numri i zyrtarëve me probleme më të rënda shëndetësore është rreth 120 zyrtarë policorë, përfshirë personelin e uniformuar dhe atë civil. Ky numër sipas policisë mund të variojë, të kategorizuara si raste të veçanta shëndetësore, për shkak të natyrës së rëndë të sëmundjes. Policia thotë se këto raste i trajton me prioritet.

Ndërsa, policia njofton se numri i zyrtarëve policorë të liruar nga arma zyrtare për arsye të problemeve shëndetësore të natyrës psikologjike, janë gjithsej 20 zyrtarë, nga ky numër (4) zyrtarë gjenden në pushim mjekësor të kategorizuar si rast i veçantë shëndetësor.

“Referuar trajtimit mjekësor dhe rezultateve mbi gjendjen shëndetësore, nxirren rekomandimet për kërkesat e ndryshme mjekësore dhe psikologjike, për të caktuar punonjësit në: detyrë/punë më të lehtë, punë me orar të shkurtuar, lirim nga sforcimet fizike dhe pajisjet profesionale, përcaktim i aftësisë për punë, pushim si pasojë e lëndimit apo sëmundjes në detyrë, punë vetëm në një ndërrim, seanca psikologjike, ekzaminime mjekësore dhe psikologjike etj.”, thuhet në njoftimin e policisë

Gjithashtu policia bën të ditur se janë realizuar kontrollet mjekësore ndaj zyrtarëve policorë të Njësiteve të Specializuara, ku 15 zyrtarë policorë nuk kanë përmbushur kriteret për të qenë operativë në Njësinë Speciale Operative.

Por siç thotë policia, bazuar në rezultatet zyrtare vlerësohet se të gjithë këta (15) zyrtarë policorë janë të aftë për punë dhe për të kryer detyra sipas procedurave dhe autorizimeve policore në njësi të ndryshme policore dhe në NJSO, përjashtuar përmbushjen e kritereve për të qenë operativë në NJSO, që do të thotë nuk angazhohen në operacione me rrezikshmëri./21Media

Back to top button