20 të shëruar dhe 4 raste të reja me Covid-19 në Gjilan

 

Katër raste të reja me Covid-19 janë shënuar në 24 orët e fundit në Gjilan, ndërsa, janë shëruar 20 persona.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, duke iu referuar statistikave dhe në bazë të gatishmërisë dhe koordinimit të lartë ndërinstitucional, ka theksuar se me disiplinë dhe vendosmëri të përgjithshme në respektimin e rekomandimeve të shtetit, do të arrihet ulja e trajektores me raste pozitive deri në pikën zero.

“Bazuar në statistikat e javëve të fundit shihet një rënie e vazhdueshme e të infektuarve me Covid-19. Në rezultatet e sotme kemi vetëm 88 raste aktive me Covid-19, prej 946 rasteve sa kemi të regjistruara në totalin e përballjes me pandeminë nga 13 marsi. Kështu, raste të shëruara plotësisht janë gjithsej 817, ndërsa në këtë luftë kundër Covid-19, kanë humbur jetën 41 qytetarë. Mostra në pritje janë 42 qytetarë dhe 19 edukatore nga çerdhet private dhe shpresojmë që edhe këto të jenë negative. Nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve në Spitalin Regjional janë gjithsej 26 pacient, të cilët konfirmohen me gjendje stabile dhe me simptoma të lehta”, citohet të ketë thënë Haziri.

Siç ka informuar komuna e Gjilanit, Haziri ka apeluar te të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit dhe veçanërisht te të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit, që vazhdimisht t’i bartin maskat dhe masat tjera mbrojtëse për të qenë larg mundësisë së infektimit.

Gjithashtu edhe nga sektori privat dhe punëtorët shtetror, Haziri ka kërkuar respektimin e masave mbrojtëse për ta ndihmuar angazhimin e gjerë në eliminim të virusit./21Media

Back to top button