Aktakuzë për tri vepra penale kundër të pandehurit H.P

 

Prokuroria Speciale e Kosovës sot informoi se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit H.P. për shkak të veprave penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe për veprën penale “Shpëlarja e parave”.

“Prokuroria njofton se i pandehuri H.P. prej kohës së pavërtetuar, së paku nga data e regjistrimit të biznesit privat me aktivitetin primar “aktivitet e tjera të shëndetit të njeriut”, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, e me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare, të dëmtarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë, iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë i pandehuri H.P. në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20€ deri në 3000€, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth një milion euro (1.000.000). Me këto veprime i pandehuri H.P. ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale  “Mashtrimi në vazhdimësi” nga neni 335 paragrafi 5 të Kodit Penal.”, informoi Prokuroria përmes komunikatës.

 Po ashtu, i pandehuri H.P. në shtëpinë e tij pa autorizim përkatës, siç u informua, ka mbajtur në pronësi dhe posedim armë, pistoletë të tipit “Girsan”, të kalibrit 9 mm, me dy karikatorë, 166 fishekë, si dhe një pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”, dhe 55 fishekë, të cilat janë gjetur dhe konfiskuar me rastin e kontrollit nga ana e policisë.  Me këto veprime, sipas Prokurorisë,  i pandehuri H.P. ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Gjithashtu, i pandehuri, H.P. duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktivitetet kriminale, është e fituar me kryerjen e veprave penale, me qëllim të fshehjes së këtyre aktiviteteve dhe burimit të vërtetë të pasurisë,  duke filluar nga viti 2006 parat e tilla i ka futur në sistem bankarë përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.”, bëri të ditur më tutje Prokuroria.

Në këtë rast, sipas komunikatës, janë të sekuestruar gjëra të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme dhe këto veprime i pandehuri H.P. ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të KPRK lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1. të Ligjit nr. 03/L-96 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Ky rast nga Prokuroria Speciale është i shënjestruar si dhe i koduar “Mashtrimi”./21Media

Back to top button