20 vjetori i ARKEP, Kurti: Kosova është njëra prej liderëve në rajon për shërbimet e internetit brezgjërë
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) ka shënuar mbrëmjen e sotme 20-vjetorin e themelimit.
Në këtë ngjarje, kanë marur pjesë krerët e shtetit nga kryeministri Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, dhe ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli.
Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti veçoi se kjo është një ditë për të reflektuar mbi rrugëtimin e ARKEP-it, dhe për të festuar sukseset që janë arritur në avancimin e fushës së komunikimeve elektronike e shërbimeve postare, të cilat i rregullon ky rregullator.
“Sot Kosova është një prej liderëve në rajon për shërbimet e internetit brezgjërë. Edhe në telefoninë mobile, përkatësisht 4G e 5G, edhe në lokacione fikse, pra, në amvisëritë e në bizneset tona. Shërbimet postare në Kosovë kanë njohur hov të lartë të zhvillimit, shpejtësi, kudondodhje dhe cilësi”, theksoi Kurti.
Kryeministri tha edhe se ARKEP-i ka rol kyç në transformimin e komunikimeve elektronike e postare në vendin tonë.
Kurti tutje tha se operatori publik është rimëkëmbur, teksa veçoi edhe disa arritje më të spikatura të viteve të fundit.
“Me rimëkëmbjen e operatorit publik dhe kujdesin e veçantë për aplikim të teknologjive të sigurta e me origjinë nga vende mike, si Qeveri i kemi dhënë sinjale të qarta dhe pozitive këtij sektori. Të dy operatorët e telefonisë mobile po e zgjerojnë shtrirjen e rrjetit të shërbimeve 5G, përfshirë këtu edhe veriun e vendit tonë. Të dy këta bashkë, me shërbimet e tyre, do të jenë të dobishëm për publikun, qytetarët, bizneset dhe institucionet e Kosovës”, deklaroi kryeministri, duke theksuar se Kosova e ka përqindjen më të lartë të shtrirjes së rrjetit dhe penetrimit të shërbimeve të internetit në amvisëri e biznese.