“2022, një epokë e re”, Rama hap Samitin e Open Balkan
Në nisje të Samitit për Open Balkan në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përsëriti edhe njëherë ftesën për vendet e tjera të rajonit ti bashkohen nismës.
Ai tha se sot është një moment kyç i procesit pasi marrëveshjet që do nënshkruhen sot përcaktojnë një hap shumë të rëndësishëm drejt objektivit për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.
Edi Rama: Sot është një moment kyç i procesit tonë sepse marrëveshjet që do të nënshkruajmë do të përcaktojnë një hap shumë të rëndësishëm drejt objektivit tonë që është të garantojmë lirinë e plotë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Përsëris thirrjen për gjithëkënd të bëhet pjesë sepse Ballkani i Hapur është një nismë terësisht përfshirëse. Inkurajoj të tjerët në rajon që të jenë pjesë e kësaj përpjekje por ndërkohë ne po ecim përpara.
Më tej kryeministri Rama prezantoi marrëveshjet që do të nëshkruhen sot mes liderve të tre vendeve.
Edi Rama: Në fushën e lirisë së mallrave do të nënshkruajmë marrëveshjen për import eksporteve të kafshëve të gjalla si dhe zbatimin e memorandumit të kalimit tranzit të mallrave mes ne të treve. Sot do të nënshkruajmë marrëveshjen për veterinarin, sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor.Sa herë kemi folur për këtë gjë, sa herë kemi rënë dakord përmes samitit të Berlinit, është Ballkani i Hapur ai që po e bën këtë. Heqim lejet e punës me qëllim që qytetarët të kërkojnë punë.
Rama tha se viti 2022 do të jetë fillimi i një epoke të re.
Edi Rama: Bazuar në këto marrëveshje dhe bazuar në ato çfarë do të bëjmë shumë shpejt në fillim të vitit të ri për të plotësuar terësisht kuadrin e operacioneve të veprimtarive të tyre ata nuk do të përjetojnë më ato dhimbje koke dhe stresin e kaq kohe të pritjes në kufi. Numri i njerëzve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha që tashmë punojnë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të rritet më tej sepse kjo ndërlidhje do të jetë jo vetëm për subjektet që tashmë po operojnë por edhe për të tjerë. Do ta bëjë të qartë se kjo hapësirë do të bëhet gjithnjë e më tej dinamike.
Çfarë do të nënshkruhet sot në Tiranë?
Marrëveshja e parë që pritet të nënshkruhet është ajo për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor. Një tjetër marrëveshje që pritet të nënshkruhet është për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshja e tretë që do të nënshkruhet, është ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.
Tjetër marrëveshje që do të nënshkruhet është, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS).
Dhe marrëveshja e pestë është ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për njohjen reciproke të autorizimeve të operatorit ekonomik të autorizuar – siguri dhe siguri (AEOS)./oranews