21 vjeçari kthehet në jetë falë mjekëve në Suharekë, Iballi rrëfen ngjarjen për RTV21
Ekipi mjekësor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Duhël të Suharekës, falë ndërhyrjes së tyre kanë kthyer në jetë një 21 vjeçar, i cili ka pësuar arrest kardiak.
Betim Iballi, specialist i mjekësisë familjare, ka thënë për rtv21.tv se 21 vjeçari A.M, sot rreth orës 11:30 është sjellë pa shenja jete në QKMF.
“Është bërë Reanimimi Kardio-Pulmonar, pacientit i janë kthyer shenjat vitale dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin regjional Prizren, aty nga ekipa urgjente e udhëhequr nga Mjekët e Urgjencës, Anesteziologut, Kardiologut, pacienti është intubuar me sukses dhe është transportuar në Qendrë Klinike në Prishtinë”, ka thënë Iballi.
Tutje, ai ka treguar se gjendja e të riut tanimë është stabile dhe po trajtohen në kujdes intensiv.
Iballi ka thënë se ndjehet shumë krenar për punën që ka bërë sot së bashku me kolegët e tij. Ai ka shtuar se “nuk ka më mirë se kur shpëtohet jeta e një të riu”. Por nuk ka harruar as të bëjë thirrje për të gjithë qytetarët, përfshirë të rinjtë që të bëjnë kontrolle rutinore duke i paraprirë sulmeve kardiake, pasi sipas tij, kohët e fundit janë rritur rastet e sulmit sidomos tek të rinjtë mbi 20 vjeç./21Media