23 vjet nga formimi i TMK-së, Mehaj: NATO, destinacioni ynë i ardhshëm
Me rastin e 23-vjetorit të formimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka thënë se Kosova ka për destinacion të ardhshëm anëtarësimin e saj në Aleancën Veri-Atlantike.
Në një postim në “Facebook”, Mehaj ka thënë se ushtria e Kosovës prezanton aspiratat e komandantit legjendar Adem Jashari, bashkëluftëtarëve të tij e atdhetarëve të tjerë, por ka ende punë për të bërë.
“Destinacioni ynë është anëtarësimi në aleancën më të madhe që siguron paqen e stabilitetin, NATO është vendtakimi e pikëvazhdimi i misioneve të përbashkëta me shtetet partnere”, ka thënë Mehaj.
Ndryshe, sot bëhen 23 vjet nga themelimi i TMK-së, ku sipas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë, ishte paraparë çarmatimi i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe transformimi i saj në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Me hyrjen e trupave ushtarake të NATO-s, KFOR-it, në Kosovë në vitin 1999 filloi edhe transformimi i UÇK-së, duke përfunduar në vitin 2000.
TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendit, që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej por në kushte jo të mira dhe paga të ulëta.
Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beogradi, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TKM-së, dhe krijimi i një force të re.
Shpërbërja e TMK-së është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj. Më 21 janar 2009 u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.
Para katër vjetësh FSK është shndërruar në ushtri të Kosovës, ndërsa Ministria e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes./21Media