24 vjet nga vdekja e Shkrelit

 

Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit ka shënuar kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e ka zgjeruar spektrin tematik; e ka subjektivizuar dhe intimizuar heroin lirik dhe çka është më me peshë, ka sjellur një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i ka hapur rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

Azem Shkreli është lindur më 1938 në Rugovë të Pejës. Ai shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai ka vazhdur shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Ai ka vdekur në pranverën e vitit 1997.

Shkreli ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që është përputhur me ardhjen e talentit të fuqishëm, ka shënuar njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të Pasluftës. Shkreli është ngjitur natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e ka konsoliduar dhe e ka përforcuar nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e ka lënë dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave ka shënuar kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani), ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht ka trajtuar tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.

Kështu Azem Shkreli ka shënuar kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e ka bërë me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër

Back to top button