24 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit, Kurti: S’do të rreshtim së kërkuari drejtësi

Në 24 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se ky është krim i pazbardhur i Serbisë.

Sipas Kurtit pёr personat e zhdukur të miratuar më 2 Maj, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës.

I pari i Qeverisë thotë se Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë.

“Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia.Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij.Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”,  shkroi Kurti në Facebook.

Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti. Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999. Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar. Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit./21Media

Back to top button