25 vjetori i çlirimit Kosovën e gjeti të varfëruar

Njohës të fushës së ekonomisë ngrenë alarmin se 25 vjet pas çlirimit të Kosovës ekonomia e vendit është buzë kolapsit. Ata thonë se një numër i madh i qytetarëve është në varfëri gjë që sipas tyre po shkakton migrim të pakontrolluar. Njohës të fushës sociale thonë se me rritjen e madhe të çmimeve të produkteve, mbi 500 mijë qytetar të cilat janë të varur nga asistencat shtetërore përfshirë edhe pensionet çdo ditë e më shumë rrezikojnë të futen në shkallën e varfërisë së skajshme.

Edhe pse Kosova në dy dekada pas luftës pati rritje ekonomike, kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Profesori i ekonomisë Muhamet Mustafa tha se institucionet e vendit dështuan të krijojnë qasje të barabarte për të gjithë qytetarët. Ai ngre alarmin për migrim të pakontrolluar të qytetarëve dhe rritje të shkallës së varfërisë në Kosovë.

“Varfëria është ulur në krahasim me 10 vjetët e kaluara, por në të njejtën kohë diku 10 deri 15% e qytetarëve janë në prag të varfërisë pra edhe këtu situata nuk është e mirë, ata qytetarë të cilët punojnë në bazë të disa statistikave e kanë të vështirë që të ja dalin pra shumë lehtë zhytën në atë pragun e varfërisë”, tha Mustafa për rtv21.

Kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës Agim Shahini thotë se të gjitha qeveritë që nga paslufta nuk e kanë parë si partner sektorin privat, gjë që, sipas tij, e ka sjellë vendin në një situatë kritike.

“Ekonomia e Kosovës ishte e pafat para, gjat dhe pas luftës. Ajo në luftë u shkatërrua totalisht pas luftës nuk pati vizion. Tash në 2024 ne ende nuk prodhojmë asgjë, përballemi me import tejët të lartë shto këtu ikjen masive të qytetarëve”, tha Shahini.

Edhe mungesa e prodhimtarisë në Kosovë sipas njohësve të fushës së ekonomisë, ka shkaktuar rritje të pakontrolluar të çmimeve të produkteve esenciale. Kjo çështje sipas ish-drejtorit për punë sociale, Vehbi Mujkut, po vazhdon të rëndoj jetën e qytetarëve.

“Mund të themi se 500 mijë qytetar varen nga asistenca sociale këtu po i përfshijë edhe ata që përfitojnë pensionin këto asistenca shtetërore nuk i rritën tash e sa kohë në anën tjetër kemi dyfishim të çmimeve dhe të gjithë këta qytetar mund të themi se futen në ato statistikat e varfërisë”, tha Mujku.

Sipas disa statistikave të UNDP-së për vitin 2023 varfëria në vendin tonë vlerësohet të jetë rreth 16 përqind./RTV21/21Media

Back to top button