​“250 euro s’mjaftojnë për mbijetesë”, protestojnë punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit të UP-së

Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar sot para rektoratit, duke kërkuar paga më të larta, pasi siç thonë ata 250 euro nuk mjaftojnë për mbijetesë.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të punëtorëve të Sigurimit Fizik të Universitetit të Prishtinës, Arsim Gjinovci tha se janë të gatshëm dhe se po presin të bashkëpunojnë me rektoratin.

“Siç e dimë po hyjmë në javën e katërt të grevës pa asnjë bisedim me rektorat. Këta janë ata që na kanë pru këtu. Ne nuk kemi ardhur me dëshirën tonë, por këta nuk dëshirojnë ta lëvizin pagën bazë, që do të thotë është paga bazë 322 euro. Ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar, këta nuk dëshirojnë të dëgjojnë për ne”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të punëtorëve teknikë të Universitetit të Prishtinës, Riza Shala tha se iu kanë bllokuar pagat edhe në muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Këta le se nuk po bëjnë rritje të pagës, por e kanë bllokuar pagën tonë minimale për ditën e shenjtë të Ramazanit, plus nuk kanë ardhur të bisedojnë asnjë moment me neve, të na i dëgjojnë hallet, kështu që ne jemi në hall me ta. Kjo është arma më e fortë e tyre, më e fortë se e armikut që po e zbrazin Kosovën. Numri i punëtorëve teknikë është afër 120”, tha ai.

E kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi u shpreh se Qeveria e Kosovës është e gatshme që deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës t’u paguajë pagë mujore mbi 2 mijë euro, derisa siç tha ai, i sanksionon punëtorët teknikë e ata të sigurimit fizik të UP-së.

“Qeveria e Kosovës është e gatshme që deputetëve serbë në parlamentin e Kosovës t’u paguajë pagë mujore mbi 2 mijë euro pa kryer asnjë punë, pa marrë pjesë kurrë dhe ata nuk i sanksionon, por na sanksionon neve. Përderisa punëtorët në bazë të ligjit janë të garantuar se nuk guoxn t’u ndërprehet paga e punëtorëve që janë në grevë, rektorati e bëri atë të mirë dhe e bëri prerjen e disa punëtorëve të cilëve ua kanë ndalë pagën”, tha ai.

Punëtori Teknik në Fakultetin Filozofik të UP-së, Zeqir Krasniqitha se 250 eurot që i marrin nuk mjaftojnë as për mbijetesë.

“Unë personalisht varem prej kësaj rroge 250 euro. Nëse edhe një javë ditë nuk dalin pagat e mia për familjen time, unë do të mbes në mëshirën e atyre kolegëve mbrapa që janë policia sepse sot askush nuk mundet të mbijetojë me 250 euro. Do të dorëzohemi sepse nuk kemi ku të mbështetemi tjetër”, tha ai.

Ngritje të pagave kërkoi edhe punëtorja teknike në Fakultetin Juridik, Emine Gashi.

“Vetëm pagat, jo ndonjë ankesë diçka luks nuk e kemi, pagën me na e bë 400 euro asgjë më shumë. Sa e hanë këta një drekë ne e dëshirojmë një rrogë, nuk po kërkojmë diçka që nuk munden të na e plotësojnë, vetëm me na barazu me sektore të tjera”, tha ajo.

Back to top button