2500 delegatë nga 200 vende të botës në Samitin për Klimën, askush nga Kosova nuk është aty
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së sot ka reaguar lidhur me mospjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e OKB-së për Klimën (UNCCC, COP26) në Glasgow të Skocisë.
Sipas Hoxhajt, ky Samit do të ishte mundësi e mirë për të takuar liderë botërorë, për t’u thënë atyre se kjo temë është me rëndësi edhe për Kosovën, për të siguruar mbështetje për këtë çështje, por edhe për tema të tjera të Kosovës.
“Sot dhe dje, 2500 delegatë nga 200 vende të botës janë mbledhur në Samitin e OKB-së për Klimën (UNCCC, COP26) në Glasgou! Askush nga Kosova nuk është aty! Askush nuk ka bërë kërkesë zyrtare për pjesëmarrje nga Qeveria e Kosovës! A ka ndonjë aktivist të kësaj kauze, profesionistë të fushës apo gazetarë?!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Deputeti ka shtuar se mos shkuarja e askujt nga Kosova në këtë Samit tregon për dy gjëra.
“Së pari, se sa e madhe është mjegulla e iluzionit dhe e izolimit në të cilën e ka vendos Qeveria shtetin tonë. Së dyti, Samiti organizohet nga OKB-ja, ku Kosova nuk është shtet anëtar dhe kjo do të ishte mundësi e artë që Kosova të ftohej! Do të ishte mundësi që në ngjarje të OKB-së të jemi zëri i vetes sonë, të shfaqim interesim për atë çka e shqetëson botën dhe të kërkojmë nga ajo të na mbështesë në shqetësimet dhe kauzat tona. Por, Samiti po mbahet në Glasgou të Skocisë, e Prishtinën politike ka kohë që e ka mbuluar mjegulla skoceze, e cila nuk lë vend për imagjinatë, as dije e as vullnet për të bërë diçka krejt të vogël ndërkombëtarisht për Kosovën!”, ka shtuar tutje Hoxhaj.
Mbi 100 udhëheqës globalë, të cilët po marrin pjesë në konferencën e Kombeve të Bashkuara për klimën në Gllasgow të Skocisë pritet të nënshkruajnë një zotim për të ndaluar dhe anuluar shpyllëzimin deri në vitin 2030./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?