26 mësimdhënës pa paga që nga viti i kaluar

Që nga tetori i vitit të kaluar, 26 mësimdhënës në Komunën e Prishtinës nuk kanë marrë paga, për shkak se nuk figurojnë në listën e pagave. Derisa këta mësimdhënës thonë se nuk ishin në dijeni për këtë problem, në Ministrinë e Arsimit e konfirmojnë ndarjen e buxhetit për pagat e tyre. Drejtori i Gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë, Haxhi Metaj, e cilëson problem ekonomik mosmarrjne e pagave nga disa mësimdhënës për gjashtë muaj.

“Problemi është te thesari i shtetit, ai nuk i pranon vetëm aq sa dalin në pension, ata në momentin qe dalin në pension 2 ose 5 atëherë pranohen të tjerët dhe drejtoria e arsimit ka bërë përpjekje që me i vendos në listën për paga por shumë kanë problem të madh për shkak të numrit të madh të mësimdhënësve krahasuar me numrin e nxënësve”, tha Metaj.

Edhe në shkolla tjera të Prishtinës ka mësimdhënës së nuk i kanë marrë pagat. Drejtori i shkollës “Ali Sokoli”, Flamur Bujupi tha se raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, por mësimdhënësit në fund janë paguar.

“Sa i përket kësaj çështje edhe më parë ka pasur situata të tilla por asnjë nga mësimdhënësit nuk kanë mbetur pa pagesë. Pagesat iu bëhen në mënyrë retroaktive me sa jam në dijeni”, tha Bujupi.

Ministria e Arsimit tha se pagesa e mësimdhënësve është në kompetencat e komunave duke akuzuar këta të fundit se buxhetin e ndarë për punonjësit e arsimit po e keqpërdorin. Nga drejtoria e Arsimit në Prishtinë nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

“MASHTI, ka ndarë buxhet me Grandin Specifik për arsimin parauniversitar në bazë të numrit të nxënësve për secilën komunë. Punësimi dhe pagesa e të gjithë mësimdhënësve të punësuar në sistemin arsimor është në kompetencën e komunave. Sipas një analize që e kemi bërë vitin e kaluar, kemi gjetur se, vetëm 163 pozita janë plotësuar dhe kanë mbetur gjithsej edhe 357 pozita të lira. Fatkeqësisht, këto pozita janë bllokuar nga vet komunat edhe pse buxheti është i paraparë”, tha MASHTI.

Mësimdhënësit që nuk janë paguar që nga tetori i vitit të kaluar shpresojnë që nga muaji mars emri i tyre të figurojë në listën e pagave./21Media

Back to top button