32-vjetori i partisë, Abdixhiku: LDK ka lënë gjurmë të pashlyera

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shoqëruar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe figura të tjera të këtij subjekti, kanë nisur ditën e sotme duke bërë homazhe pranë varrit të Ibrahim Rugovës.
Ky ishte vetëm aktiviteti i parë që do të pasohet nga të tjerë për të shënuar 32-vjetorin e themelimit të LDK-së.
Kryetari aktual i kësaj partie deklaroi se për tri dekadat e shkuara, LDK ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e vendit ndërsa edhe në të ardhmen do të luajë rolin e vet drejt proceseve të integrimit
“LDK më 23 dhjetor të vitit 1989 është themeluar nga një grup intelektualësh shumë të shquar të kohës të cilët në krye me atin tonë themeltar të shtetit të Kosovës, të vet Lidhjes Demokratike të Kosovës, të lëvizjes tonë nacionale, i kanë pirë një procesi të madh që është kurorëzuar me lirinë e Kosovës, më pas me pavarësinë e Kosovës dhe shtetndërtimit. Gjatë tri dekadave të shkuara, LDK ka lënë gjurmë të pashlyera historike, të paarritshme për të ardhmen natyrisht dhe natyrisht edhe në dekadën e katërt, roli i LDK-së do të jetë thelbësor në drejtimin e Kosovës drejt proceseve origjinale tona euroatlantike”, deklaroi Abdixhiku.
Pas themelimit të LDK-së, ky grup intelektualësh caktuan kryesinë e LDK-së me kryetar Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Dr. Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e shumë figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh të asaj kohe./kp

Back to top button