4 projekte afër 1 milion euro për Kamenicën

Matoshi dhe Kastrati kanë nënshkruar katër memorandume

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot në Kamenicë, së bashku me kryetarin Qëndron Kastrati kanë nënshkruar 4 memorandume për financimin e 4 projekteve që këtë vit do të realizohen ne këtë komunë.

“Rregullimi i shtratit të lumit Desivojcë – Shipashnicë në vlerë 700.000 euro, granti ‘Ta pastrojmë Kosovën’, në vlerë 150.000 euro, administrimi i banesave në bashkëpronësi, në vlerë 50.000 euro si dhe pastrimi i zonave emergjente dhe kritike  në vlerë 10.000, janë 4 projekte tjera që MMPH po i financon në Kamenicë krahas edhe 3 projekteve tjera që janë në realizim e sipër me financimin e MMPH-së”, deklaroi Ministri Matoshi.

Matoshi me këtë rast u shpreh i lumtur që me këto projekte siç tha ai po arrijnë që të rrisin nivelin e mirëqenës së qytetareve të kësaj komune, të lënë anash nga qeveritë e kaluara.

“Këto projekte në vlerë totale prej 910.000 euro që do të financohen plotësisht nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe do të implementohen nga Komuna e Kamenicës, do të përmirësojnë kushtet e jetesës për banoret e komunës”, vlerësoi Ministri Matoshi.

Matoshi u shpreh optimist që procedurat e tenderimit dhe kontraktimit të përfundojnë sa më shpejt dhe të fillojnë punët në këto projekte.

Për përkrahjen e vazhdueshme dhe financimin e këtyre projekteve në komunën e Kamenicës, kryetari i kësaj komune, Qendron Kastrati, e falënderoi Ministrin Matoshi dhe vlerësoi se këto projekte janë shumë të rëndësishme dhe do të realizohen me sukses./21Media

Back to top button