45 profesionistë shëndetësorë të QKMF Fushë Kosovë mbesin pa punë

45 profesionistëve shëndetësorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë nuk u është vazhduar kontrata e punës.
Prej tyre 12 mjekë dhe 17 infermierë, ndërsa pjesa tjetër ka qenë staf mbështes. Këta punëtorë shëndetësorë kanë qenë të angazhuar me një marrëveshje në mes të Komunës së Fushë Kosovës dhe Caritas Kosova, e kontrata e punës së tyre ka përfunduar më 28 shkurt, ndërsa Komuna e Fushë Kosovës nuk ka arritur ende të finalizojë kontratë të re me operatorët ekonomikë pasi tenderi ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, i cili është jashtë funksionit.
Ndërsa, drejtuesit e QKMF në Fushë-Kosovë thonë se pa këtë staf që tashmë kanë mbetur të pa punë vështirë e kanë funksionimin, dhe nëse vazhdon kjo gjendje do të detyrohen të reduktojnë shërbimet mjekësore nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Shefi i Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë, Remzi Shala tha se largimi nga puna i këtyre mjekëve dhe infermierëve u ka shkaktuar mjaftë telashe.
Shala u shpreh se aktualisht kanë reduktuar stafin mjekësor në QMF nëpër fshatrat ku ka më pak pacientë.
”Jemi organizuar që me stafin ekzistues të ofrojmë shërbime shëndetësore për banorët e Fushë Kosovës derisa të gjendet një zgjidhje e përkohshme ose e përhershme, vështirësi kemi shumë, për momentin jemi të angazhuar 100% të stafit me disa qendra si ajo numër 1 e kemi reduktuar nga dy mjekë, i kemi bërë nga një, atje përsëri pacientët janë njëjtë. Nëpër fshatra në Miradi të Ulët i kemi reduktuar dhe në Vragoli jemi munduar t’i organizojmë për t’i mbajtur qendrat që janë numër më të madh si dhe QKMF, ndërrimin e natës e kemi lënë të njëjtë, por kapacitet nuk kemi sepse tani 100% jemi të angazhuar”, tha Shala.
Shefi i Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë shprehet se si pasojë e mos vazhdimit të kontratës të këtyre 45 profesionistëve shëndetësorë janë ndërprerë edhe pushimet por edhe trajnimet.
Shala thekson se pa këta mjekë po rrezikon edhe funksionimi i kujdesit paliativ.
Sipas mjekut, Remzi Shala aktualisht po arrijnë të ofrojnë shërbime edhe falë mjekëve që janë të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë në emër të pandemisë COVID-19.
Shala thekson se nëse edhe këtyre nuk u vazhdohet kontrata e punës, e cila iu skadon në qershor, nuk do të arrijnë të funksionojnë.
”Falë disa mjekëve dhe motrave të cilët i kemi prej ministrisë (së Shëndetësisë) janë aktualisht 9 mjekë dhe motra medicianale 13 apo 14 edhe ata janë duke na ndihmuar në procesin e rregullt të ofrimit të shërbimeve shëndetësore por edhe procesi i vaksinimit është duke vazhduar normalisht, por edhe këta punëtorë i kanë disa kontrata të cilat vazhdojnë deri në qershor. Nuk e di nëse edhe këtyre u ndërpritet, ne nuk mund të ekzistojmë, duhet me i mbyll ose Qendrat e Mjekësisë Familjare në terren ose të reduktojmë kujdesin shëndetësor gjatë natës”, deklaroi shefi i Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë.
Kurse, nënkryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi u shpreh se punëtorët shëndetësorë kanë mbetur pa punë pasi nuk kanë arritur të finalizojmë kontratën, pasi njëri nga operatorët ekonomikë është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Por, ai shpreson, se ky tender do të zhbllokohet brenda 1 muaji e gjysmë.
Krasniqi ka kërkuar nga qeveria që sa më parë të emërojë anëtarët e bordit të OSHP-së me qëllim që ta tejkalojnë këtë sfidë.
Lidhur me largimin nga puna të këtyre mjekëve dhe infermierëve të cilët kanë shërbyer në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë ka folur edhe Caristas Kosova.
Koordinator i projektit “Caritas Kosova”, Pal Baftijaj u shpreh se kontratat e punës dyvjeçare për këta 45 punëtorë shëndetësorë kanë përfunduar më 28 shkurt, dhe në pamundësi të një kontrate të re me Komunën e Fushë Kosovës është dashur të ndërpriten edhe këto shërbime.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se marrëveshja në fjalë ka qenë në mes të komunës dhe Caritas-it dhe MSh nuk është e përfshirë në këtë projekt./kp

Back to top button