Hoti me reforma për termocentralet

Hoti tha se Kosova A do të dekomisionohet, Kosova B do të riparohet dhe do të ndërtohet Kosova e Re

Gjatë një vizite që i bëri të enjten Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se programi i tij në fushën e energjisë parasheh dekomisionimin e termocentralit Kosova A, riparimin rrënjësor të Kosovës B dhe ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.

“Unë sot jam këtu për të siguruar stabilitet të kësaj ndërmarrjeje. Nuk kemi ardhur për të premtuar rritje të pagës, sepse ai është vendim i menaxhmentit, por ne do të ofrojmë mbështetje të fuqishme teknike dhe financiare për të zhvilluar kompaninë dhe për të përmirësuar kushtet e punës”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se një nga detyrat prioritare në sektorin e energjisë dhe mjedisit do të jetë zhvillimi  përmirësimi i mekanizmave të nevojshëm rregullator dhe operacional për arritjen e cakut prej 25% të pjesëmarrjes së energjisë nga burimet e ripërtëritshme deri vitin 2020.

“Do të veprohet në nxitjen e mëtejme të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në pajtim me potencialin, obligimin dhe nevojat, si dhe karshi zhvillimeve dhe përvojës evropiane. Do të përcaktohen modalitetet e investimeve për realizimin e rehabilitimit. Rehabilitimi i TC Kosova B do të bëhet pas hyrjes në operim të TC Kosova e Re”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se dekomisionimi i TC Kosova A, ose pjesëve të saj, do të bëhet pas studimit të alternativave të reja të gjenerimit plotësues, të kërkesave në tregun e energjisë elektrike dhe pasi të sigurohet furnizimi i qëndrueshëm me ndërtimin e Termocentralit Kosova C./21Media

Back to top button