5 vjet nga vrasja e Ivanoviqit: Kush është akuzuar deri më tani?

Sot shënohet përvjetori i vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (SDP), Oliver Ivanoviq (1953-2018). Ai u qëllua pas shpine me disa të shtëna me armë zjarri nga një veturë në lëvizje dhe u vra pesë vjet më parë para selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Oliveri u vra sepse nuk donte të luante sipas rregullave të të tjerëve”, citojnë mediat serbe.
Shumica e familjarëve sot në orën 11:00 do ta shënojnë këtë përvjetor në vendin ku u varros Ivanoviq, në Varrezat e Reja në Beograd.
Një pjesë e opozitës në Beograd – përfaqësues të Partisë Liri dhe Drejtësi, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, Lëvizja për kthim dhe sindikata Slog njoftuan se do të shënojnë përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit para kishës së Shën Markut në Beograd në orën 17:30.
Në fund të nëntorit 2021, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë filloi një seancë e re për vrasjen e tij.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur padi kundër gjashtë personave të nacionalitetit serb për këtë vepër (krim) Të akuzuar janë Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Sillvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Ata akuzohen për veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, armëmbajtjes pa leje, zbulimit të sekretit zyrtar dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare duke manipuluar provat.
Sipas pretendimeve prokurorisë, të paktën edhe pesë të dyshuar të tjerë janë përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit.
Me vrasjen e Oliver Ivanoviqit lidhet edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, si dhe biznesmeni Zvonko Veselinoviq, por pas qëndron pushteti i lartë i Serbisë, i cili tha se ata janë marrë në pyetje me poligraf.
Në korrik të vitit 2017, Ivanoviçit i është djegur vetura dhe në intervistën e fundit që ka dhënë, kreu i GI SDP ka thënë se serbët në veri të Kosovës nuk kanë aq frikë nga shqiptarët sa nga serbët vendas, siç tha ai, “kriminelët dhe kapadainjtë që ngasin xhipat pa tabela”.
Ndryshe, sot në Mitrovicë të veriut miqtë dhe shokët e Oliver Ivanoviqit kanë shënuar pesëvjetorin duke përkujtuar dhe ndezur qirinj në kohën e vrasjes (ora 08:15), në vendin ku ai u vra – para selisë së SDP-së.

Back to top button