53 kamionë ndihma hyjnë në Gaza të shtunën, thotë Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze

(Lajm i përditësuar)


53 kamionë ndihma hyjnë në Gaza të shtunën, thotë Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës mori 53 kamionë ndihma të mbushura me furnizime jetike – duke përfshirë ushqim, ujë, sende ndihmash, pajisje mjekësore dhe medikamente, por jo karburant – tha grupi të shtunën.

“Që nga 21 tetori 2023, janë pranuar gjithsej 904 kamionë, mesatarisht rreth 41 kamionë në ditë,” tha organizata e ndihmës. “Për fat të keq, autoritetet pushtuese izraelite nuk kanë lejuar hyrjen e karburantit deri më tani.”


Netanyahu thotë se forcat izraelite kanë rrethuar Gazën dhe kanë vrarë ‘mijëra’ luftëtarë të Hamasit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se forcat izraelite kanë përfunduar rrethimin e qytetit të Gazës dhe pranuan se po luftonin në periferi të spitalit Al Shifa, nën të cilin izraelitët pretendojnë se Hamasi ka ndërtuar një objekt ushtarak.

Si pjesë e informimit të rregullt për publikun izraelit, Netanyahu shton se Izraeli kishte vrarë “mijëra” luftëtarë të Hamasit, përfshirë ata që ishin të përfshirë në sulmin brutal të Hamasit të 7 tetorit që vrau rreth 1200 njerëz.

Ai shtoi se Izraeli do të mbajë kontrollin ushtarak të Gazës pas luftës, ngjashëm me kontrollin e tij ushtarak mbi Bregun Perëndimor – të cilin shumë ekspertë e kanë quajtur një “pushtim ushtarak”.

Ai bëri homazhe për ushtarët e vrarë në luftën kundër Hamasit, duke i quajtur ata “heronj të mrekullueshëm”, si dhe falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen morale, financiare dhe ushtarake.

Si Netanyahu ashtu edhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, të cilët folën pas kryeministrit, thanë se shpëtimi i pengjeve dhe “çrrënjosja e Hamasit” ishin prioritetet kryesore.


Ushtria izraelite mohon pretendimet se ka rrethuar spitalin më të madh të Gazës

Ushtria izraelite mohon se ka qëlluar në spitalin Al-Shifa në veri të Gazës dhe hodhi poshtë sugjerimet se spitali është nën rrethim .

“Nuk ka të shtëna në spital dhe nuk ka rrethim,” tha në një deklaratë kolonel Moshe Tetro, një zyrtar i lartë i ministrisë izraelite të mbrojtjes me përgjegjësi për Gazën. “Ana Lindore e spitalit mbetet e hapur. Për më tepër, (ushtarakët) mund të koordinohen (me) këdo që dëshiron të largohet nga spitali i sigurt.”

Në një video të dërguar nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit për të shoqëruar deklaratën me shkrim, Tetro tha se kishte “përleshje midis trupave të IDF dhe operativëve terroristë të Hamasit rreth spitalit”.

Ai shtoi se ishte në “kontakt të vazhdueshëm” me drejtorin e Al-Shifa dhe i kishte thënë se IDF mund të koordinonte evakuimet nga spitali.
CNN nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë nëse dikush ishte në gjendje të largohej nga kompleksi spitalor gjatë ditës.

Çfarë kanë thënë zyrtarët në Gaza: Një zyrtar i lartë në ministrinë e shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza i tha CNN më herët të shtunën se Al-Shifa është i rrethuar nga të katër anët nga forcat izraelite, nën “rrethim të plotë”.

Në një deklaratë të veçantë dërguar CNN të shtunën, ministria tha se spitali ishte “jashtë shërbimit”, me katin e pestë të ndërtesës së kirurgjisë të granatuar rëndë dhe stafin mjekësor të paaftë për të lëvizur brenda kompleksit.


Kombet arabe dhe myslimane bëjnë thirrje unanimisht për armëpushim të menjëhershëm

Komunikata përfundimtare e lëshuar nga samiti i 57 vendeve arabe dhe islamike ishte unanim në thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

Mikpritësit, Arabia Saudite, akuzuan komunitetin ndërkombëtar për standarde të dyfishta. Ministri i Jashtëm saudit tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij duke mos i kërkuar llogari Izraelit për veprimet e tij në Gaza.

Kreu i Ligës Arabe tha se shpreson që Perëndimi do t’i vërë veshin mesazhit që vjen nga një e katërta e anëtarësimit në OKB.

Irani dhe Siria donin të shkonin më tej, duke kërkuar veprime konkrete si ndërprerja e marrëdhënieve midis Izraelit dhe disa vendeve të rajonit. Kjo u refuzua..


​Stafi e pacientët s’janë në gjendje të evakuojnë spitalin Al-Shifa

Stafi dhe pacientët nuk kanë qenë në gjendje të largohen nga spitali Al-Shifa në qytetin e Gazës pasi kompleksi spitalor mbetet nën “rrethim të plotë”, sipas ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi, në Gaza.

Drejtori i përgjithshëm i ministrisë, Munir Al-Bursh, tha për CNN se kishte mbi 100 trupa të mbështjellë me batanije në tokë brenda kompleksit spitalor.

“Ne nuk mund t’i varrosim ata”, tha ai përmes telefonit për CNN. Teksa fliste dëgjohej zhurma e shpërthimeve.

Al-Bursh tha se njerëzit që ishin plagosur në Gaza po transportoheshin në Spitalin Baptist Al-Ahli, pasi Al-Shifa ishte i paarritshëm.

Al-Bursh tha se në spital nuk kishte ujë, ushqim apo rrymë. Ndërsa ushtria izraelite tha për CNN se është e angazhuar në “luftime intensive të vazhdueshme” kundër Hamasit në afërsi të kompleksit spitalor, por refuzoi të komentojë për afërsinë e forcave të saj me kompleksin “sepse aktiviteti ushtarak ishte ende duke u zhvilluar”.

Zëdhënësit e ushtrisë izraelite në një konferencë të veçantë telefonike me gazetarët të shtunën nuk adresuan raportet për bombardimet në afërsi të spitalit.

Angelita Caredda, drejtoresha e Këshillit Norvegjez të Refugjatëve për Lindjen e Mesme, tha në një deklaratë se këshilli ishte “i tmerruar nga raportet e sulmeve të pamëshirshme në spitalet e Gazës”.

“Pacientët, duke përfshirë foshnjat dhe civilët që kërkojnë ndihmë janë të bllokuar nga sulmet. Është një padrejtësi të bësh luftë rreth dhe në spitale”, tha ajo./21Media

Back to top button