55 % e mendojnë largimin nga Kosova, Abdixhiku: Qeveria po i braktisë qytetarët

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se gjatë një vitit të qeverisjes, qeveria Kurti është karakterizuar nga populizmi dhe arroganca.
Abdixhiku gjatë një konference për media ka deklaruar se  Qeveria Kurti “është treguar e aftë në kapjen e bordeve”.
“Në politikë të jashtme kjo Qeveri është karakterizuar me skandale, me mungesë të takimeve në nivel të lartë. Izolimi i Kosovës po merr formë çdo ditë. Nuk përjashtohet as qasja e kësaj qeverie rreth dialogut. Në politikën e brendshme qeveria ka qenë sa arrogante po aq edhe konfliktuoze. Dëshpërimi qytetarë me një qeverisje të tillë është përcjellë me largim masiv të qytetarëve tanë dhe të rinjve. Sipas matjeve të fundit 55 për qind e konsiderojnë largimin nga Kosova”, ka thënë ai.
I pari i LDK-së në një konferencë për media, ka thënë se në kohë krize, Qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët e saj.
Tutje Abdixhiku ka deklaruar se Qeveria Kurti ka dështuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Sipas tij dëmi tjetër i madh është kalimi i dialogut me Serbinë në rrafshin teknik, ndërkohë ka shtuar se ka pasur mungesë të plotë të transparencës nga Qeveria sa i përket dialogut.
Abdixhiku ka thënë se Qeveria ka dështuar edhe në miratimin e projektligjeve.
“Qeveria nuk ka platformë dialoguese dhe nuk e ka të qartë idenë përpara. Procesi i dialogut është karakterizuar me mungesë të transparencës. Në programin legjislativ qeveria ka paraparë 189 projektligje e deri në dhjetor të 2021-tës kanë aprovuar vetëm 36. Muajt e parë të qeverisjes së LVV-së është vërejtur një emërim masiv i militantëve partiakë në të gjitha bordet e ndërmarrjeve politike. Ky proces i kapjeve vazhdoi përtej bordeve në rregullatorë e inspektorate. Përtej kapjes, Qeveria është karakterizuar me ministra e zyrtarë nën aktakuzë. 3 nga 16 ministrat aktual të Kurtit kanë aktakuzë”, ka thënë ai./21Media

Back to top button