Nitaj: Askush s’po ndahet nga PAN-i

Nitaj ka thënë se Nisma nuk po ndahet nga PAN

Muharrem Nitaj nga AAK ka reaguar  pas raportimeve se Nisma është ndarë nga koalicioni PAN ku pjesë e këtij koalicioni janë PDK-AAK-Nisma. Nitaj ka thënë se Nisma nuk është duke u ndarë nga koalicioni PAN dhe se ky koalicion do ta bëjë Qeverinë.

Ashtu siç deklaroi më herët anëtari i Nismas, Bilall Sherfi se Nisma do të ketë grup parlamentar të vetin në Kuvend kështu ka deklaruar edhe Nitaj i cili ka thënë se është në diskrecionin e partive politike, aleate të koalicionit PAN, nëse do të vazhdojnë me grupe të ndara parlamentare, apo do të vendosin të jenë një grup i vetëm parlamentar.

“Eshtë në diskrecionin e partive politike, aleate të koalicionit PAN, nëse do të vazhdojnë me grupe të ndara parlamentare, apo do të vendosin të jenë një grup i vetëm parlamentar. Kjo vendoset pas certifikimit të rezultateve. Nuk ka asnjë lidhje nëse grupet parlamentare funksionojnë si të vetme në parlament, me largimin e ndonjë partie nga koalicioni PAN”, thuhet në postimin e Nitajt

“Po i shoh makineritë propagandistike se si po shpërndajnë rrena për largimin e Nismës nga PAN. Më duhet t’i zhgënjej të gjithë ata, se kjo s’ka të bëjë fare me largimin nga koalicioni. PAN i ka rezultatin më të mirë, dhe atij i takon ta bëjë qeverinë. Pritni e mos u ngutni me ba pazare, sepse ka disa rregulla në këtë shtet. Ata që e njohin këtë shtet, duhet t’i respektojnë këto rregulla, jo sepse duan, por sepse nuk kanë zgjidhje tjetër”, përfundon postimi i anëtarit të AAK-së./21Media

 

Back to top button