Ahmeti: Për shqipen po presim momentin e duhur

Ligji i për gjuhën shqipe nuk është prioritet për shumicën parlamentare

Ndryshimet në ligjin për përdorimin e gjuhëve, nuk janë pjesë e pakos që përmban 30 ligje, që shumica aktuale i ka paraparë se janë me prioritet. Megjithatë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë që marrëveshje për gjuhën ka, dhe se po pritet momenti i duhur që ndryshimet të hynë në procedurë.

“Nëse s’ka marrëveshje deri para zgjedhjeve lokale për ligjin për gjuhën a mund të ndikojë kjo në prishjen e koalicionit me LSDM-në? Ka disa informata në opinion se ju e keni vënë si kusht që deri para zgjedhjeve lokale, të votohet ligji për gjuhën? Unë i hedhë poshtë të gjitha këto spekulime! Ne kemi marrëveshje për gjuhën. Kemi marrëveshje për koalicionin. Kemi marrëveshje për formatet e qeverisës së Republikës së Maqedonisë. E tash jemi duke biseduar që të gjendet koha më e mirë, koha më e përshtatshme se kur do të jetë në rend të ditës në kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së, shkruan TV21.TV

Fadil Zendeli, nga koalicioni Rilindje me Besë, rikujtoi partitë shqiptare se janë pjesë e shumicës, që ka pasur premtime se ligji për gjuhën do të votohet edhe para qeverisë. Ai tha se subjekti që ai përfaqëson, do të dal me propozim të vetin.

“Ne si grup parlamentar dhe si subjekt politik do të dalim me draftin tonë, se si ne e shohim zgjidhjen e çështjes së përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe”, tha Fadil Zendeli, Rilindje me Besë.

Lidhur me propozimin e Rilindjes me Besë, Ahmeti tha se nuk do të ketë përkrahjen e shumicës, pasi që nuk është pjesë e marrëveshjes. Se ligji për gjuhët do të duhet të pres, flet edhe përgjigja e koordinatorit të grupit parlamentar të LSDM-së, Mirosllav Tuntev.

“Nuk kam çfarë t’ju deklaroj në lidhje me pyetjen tuaj, sepse deri më tani nuk ka qenë temë e bisedimeve mes grupeve të deputeteve… Është patjetër që paraprakisht të arrihet marrëveshje politike në kuadër të shumicës qeverisëse”, nga LSDM.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, gjatë ditës deklaroi se trazirat në kuvend, kanë ndikuar që shumica parlamentare ta ketë si prioritet qetësimin e situatës, dhe zbatimin e kërkesave që vijnë nga Bashkimi Evropian, por shtoi se nuk ka çështje të hapur me LSDM-së dhe bllokut shqiptar për ndryshimet në ligjin për gjuhët./21Media

 

Back to top button