6 të arrestuar në operacionin e Policisë në rastin “Masazha 2021”

 
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), me qëllim të marrjes së masave proaktive  dhe verifikimit të  informatave  në terren ka zhvilluar planin operativ për inspektimin e salloneve  të masazheve,  i cili është realizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të inspektorëve komunal, inspektorëve të punës, zyrtarëve të ATK- se, inspektorëve të MINT-se dhe njësive tjera të profilizuar në kuadër te PK-së.
Plani  operativ “Masazha-2021’” i realizuar  përgjatë këtij muaji në  nivel vendi, ka rezultuar me arrestimin e gjashtë personave të dyshuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale “Mundësim apo Detyrim në Prostitucion”, “Ofrim i Lokaleve për Prostitucion” dhe “Bashkëkryerje“.
Gjatë këtij operacioni policor, nën autorizimin e organeve të drejtësisë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente janë inspektuar 53 lokale, prej tyre 29  lokale  janë mbyllur nga  inspektorët  komunal si dhe janë shqiptuar gjoba për mungesë të arkave fiskale si dhe mungesa e dokumenteve të punës.
Nga zyrtarët policorë gjatë këtij operacioni janë legjitimuar 196 persona me shtetësi të ndryshme, si nga Shqipëria, Tajlanda, Italia, Greqia, Rumania, Serbia dhe Kosova, ku të gjithë shtetasit  e huaj në mungesë të  paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, sipas procedurave janë trajtuar nga Drejtoria për Migrim dhe Huaj si kompetencë e tyre lëndore.
Personat e dyshuar me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje për 48 orë./21Media

Back to top button