6 të lënduar nga sulmi me thikë në stacionin e trenit në Paris

Gjashtë persona u plagosën në një sulm me thikë në stacionin e trenit më të ngarkuar të Parisit të mërkurën në mëngjes, tha ministri i brendshëm i vendit.
Një i dyshuar me thikë sulmoi disa njerëz në stacionin e trenit Gare du Nord dhe plagosi gjashtë prej tyre, duke përfshirë një oficer policie, konfirmoi Gerald Darmanin pasi vizitoi vendin e ngjarjes.
Ai shtoi se dy policë kanë gjuajtur tre të shtëna dhe kanë arritur ta neutralizojnë të dyshuarin.
“Sulmuesi është mes jetës dhe vdekjes në këtë moment, në spital”, tha Darmanin, duke shtuar se i dyshuari nuk mbante asnjë dokument identifikimi, por do të identifikohet së shpejti.
Prokurorët e Parisit kanë nisur një hetim për sulmin, tha ai.
Darmanin falënderoi gjithashtu punonjësit e policisë për reagimin e shpejtë, oficerët e sigurisë të operatorit hekurudhor SNCF dhe kalimtarët.
Shkaqet dhe motivet e sulmit mbeten të panjohura.
Gare du Nord nuk është vetëm stacioni hekurudhor më i ngarkuar i Parisit, por ai i Evropës, me mbi 292 milionë pasagjerë që kanë përdorur stacionin në vitin 2021, sipas të dhënave të SNCF.

Back to top button